Sot ish-kryeministri Sali Berisha ka organizuar një protestë të dhunshme për të marrë selinë e PD. U përdorën shkallët, levat, varetë, çekiçët dhe trapanët që ndihmuan Berishën të merrte vetëm katin e parë të selisë blu. Pamjet janë të rënda, të ngjashme me një fushëbetejë pas një lufte të fortë.

Pas thirrjeve të ish-kryeministrit për t’u larguar dhe premtimit për t’u riorganizuar, një qytetar ka zgjedhur të pastrojë këpucët me flamurin e Partisë Demokratike dhe videoja është bërë virale në rrjet. Lidhur me protestën e sotme, policia ndërhyri duke i dhënë fund përplasjes dhe dhunës, duke e rrethuar ‘shtëpinë e demokratëve’ me shirit ‘skenë krimi’.

Të ‘armatosur’ me mllef protestuesit nuk pritën orën 12:00, kur ishte parashikuar nisja e protestës, por nisën mësymjen një orë përpara, duke shqyer derën kryesore dhe thyer xhama. Ata morën katin e parë të godinës, ndërkohë që kanë tentuar herë pas herë të shkonin edhe në katin e dytë. Lart edhe kreu i PD kishte marrë masat. Lulzim Basha i rrethuar nga drejtues të forcës së tij politike, e kishte rrethuar veten edhe më mbështetës, të aftë për ta mbrojtur edhe nga sulmi fizik.