Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka thënë qartë se do tua bëjë më të vështirë jetën të pavaksinuarve kundër koronavirusit.
“Dua t’i bezdis ata, dhe do të vazhdojmë të bëjmë këtë gjë – deri në fund”, ka thënë ai për të përditshmen franceze, Le Parisien.
Komentet e tij kanë ardhur teksa projektligji për pasaportat e vaksinimit është shtyrë nga deputetë opozitarë, pasi parasheh që personave të pavaksinuar të mos iu lejohet qasja në një mori organizimesh.
Projektligji ishte parashikuar që të miratohej këtë javë, por ai ka zemëruar kundërshtarët e vaksinës, dhe disa deputetë francezë kanë thënë se janë kërcënuar për vdekje rreth kësaj çështjeje.
Në intervistën e tij për Le Parisien, Macron ka thënë se ndonëse nuk do të shkonte pas vaksinimit të detyrueshëm, ai ka shpresuar se do të inkurajojë njerëzit që të vaksinohen “duke kufizuar sa më shumë qasjen në jetën sociale”.
Franca është një prej vendeve me shkallën më të lartë të vaksinimit në Evropë, pasi më shumë se 90 për qind e popullsisë së rritur ka marrë dy dozat e vaksinës.
Për muaj të tërë, Franca u ka kërkuar njerëzve që të prezantojnë dëshmi të vaksinimit apo test negativ për koronavirus, për të pasur qasje në ngjarjet publike.