Nga Artur Ajazi
Partia Demokratike, u katandis si mos më keq, dhe kjo për një vendim i marrë papritmas, me “kokën e tij”, nga Lulzim Basha. Kështu thonë sot ata që justifikojnë ndarjen, përçarjen, abuzimin dhe allishverishet, ambicjet për ta patur partinë nën hyqëm. Tek i shikoj deputetët, të flasin me mundim të madh duke u përpjekur të bëjnë “opozitarin”, ndërkohë që partia është kthyer në piramidë sulmi nga Komisioni Rithemelimit, gjëja e parë që konstatoj është pamundësia e tyre për të mos fituar ndoshta kurrë më, asnjë betejë elektorale. Partia Demokratike sot, ka marrë fizionominë e një gravure të vjetëruar, të cilës pritet ti sulet ish-pronari saj, për të rimarrë atë ç’ka i takon, dhe një kryetar i kthyer në “monument që mbrohet nga policia”. Vallë kjo është opozita, vallë kjo është Partia Demokratike, vallë kjo është forca politike që aspiron marrjen e pushtetit, kur nuk siguron as votat e anëtarësisë për rizgjedhjen e kryetarit të saj ? Çdo përpjekje për të ribashkuar “të moçmin dhe të riun” në PD, të paktën për fushatën e zgjedhjeve të pjesshme vendore ka dështuar.
Kjo fushatë në fakt, do të tregojë përfundimisht aftësitë dhe mbështetësit e vërtetë të dy rivalëve Berisha-Basha, në bazën e partisë. E sigurtë është një gjë, 6 bashkitë i fiton Partia Socialiste, pasi është analogjike të mendosh se, një parti e ndarë, e armiqësuar, një parti me dy kryetarë, të fitojë qoftë edhe një prej bashkive, kur beteja elektorale nuk do të jetë më mes demokratëve dhe socialistëve, por vetëm mes dy emrave të dalë nga Basha dhe Berisha. E katandisur si një “konvikt” pa kujdestar, Partia Demokratike po mundohet të shkëputet nga e kaluara siç e quan ajo “berishizmin”, por pa dalë hapur me një program afatgjatë në rrugëtimin e saj të vështirë të ripërtëritjes , ribashkimit, dhe pretendimit të fitores.
Godina dhe fati i saj, i ngjasin një objekti që pret legalizimin, pasi atje ka humbur shpresa, besimi, kurajua, veprimi dhe aksioni opozitar. Gjithçka duket si e stopuar. Deputetët e Lulzim Bashës, nuk janë as të aftë dhe as të pergatitur, ti bëjnë ballë të shkuarës që përpëlitet, dhe tenton ti marrë gjithçka asaj partie në emër të “sovranitetit politik”. Ekspozimi me policë, si në 8 Janar ashtu edhe në takimet e kryetarit Basha, mbeten një asrye më shumë që Berisha të hedhë akuza për “pakte dhe marrëveshje me Ramën”.
Prania e policisë në takimet e kryetarit të PD, ka rritur tensionet mes anëtarësisë, dhe thelluar ndarjet mes tyre. Kjo nuk i shërben aspak “të ardhmes”, por thjesht ndarjes dhe shkatërrimit të saj. Mendoj se shumë shpejt, ata që do ti mbeten Lulzimit nga ndarja e partisë, do të shihen si “shtojcë” e vetmuar e kujdo që do të qeverisë vendin, pasi është e vetmja rrugë për të mbijetuar politikisht, gjithmonë me të njëjtin kryetar.Kurse “Rithemeluesit” padyshim do ta gjejnë një mundësi ta zgjedhin edhe njëherë kryetar Berishën, për ta mbajtur deri në fund si “ikonë”, njeriun që mbeti i vendosur ta shkatërrojë nga themelet Partinë Demokratike.