Nga Lorenc Vangjeli/Ish- lideri i demokratëve Sali Berisha përfundimisht u largua nga Partia Demokratike nga “pinjolli politik” Lulzim Basha. A është fundi i Berishës në PD, apo do vijojë luftën me Bashën dhe faktorin ndërkombëtar?
Përfundimisht është një fjalë që mungon në fjalorin e politikës shqiptare. Shprehja e famshme që në politikë “Nuk duhet thënë kurrë, kurrë!”, duket sikur është shpikur enkas për Tiranën. Po të kujtohet urrejtja dhe egërsia mes “çiftesh” të ndryshme, si brenda llojit, ashtu edhe mes kundërshtarësh, kjo që po ndodh me Berishën dhe Bashën sot, është një film i parë shumë herë. Berisha me Nanon, Nano me Metën, Meta me Ramën, Rama me të gjithë bashkë njëri pas tjetrit dhe Basha me Berishën, janë vetëm disa nga ndeshjet epike, në të cilat cikli dashuri-urrejtje i ngjan marrëdhënies shkumëzuese mes adoleshentësh që nuk ndriçohen nga logjika, por shtyhen nga furtuna e hormoneve. Dhe meqë edhe vetë demokracia shqiptare është në moshën e adoleshencës, plot puçrra, e paqëndrueshme, emocionale, e parritur dhe e papjekur, kjo shpjegon edhe marrëdhëniet mes protagonistëve të politikës. Parë me këtë sy, nuk ka një largim përfundimtar të Berishës nga PD, por ka dëshmi sesi po funksionon vetëm një prej hallkave të hallit të pafundëm që i ka rënë për pjesë PD-së. Të dy të zemëruarit e opozitës janë në kuotat më të ulëta të besimit në parti, por dhe në publik. Ata janë në ndeshje, por të destinuar që edhe si “fitimtarë” të jenë humbës të plotë. Sepse të dy së bashku janë arsyeja themelore që do ta lënë edhe një mandat të katërt opozitën në opozitë. Por herët a vonë, të dy do të largohen. Ky është basti për atë që do të ndodhë. Ose të dy njëherësh, ose njëri pas tjetrit!
Më 8 Janar a mund të themi se u shkrua ndarja e PD-së? A do të krijojë Berisha një parti të re?
Ndarja e PD-së nuk është akt, por proces. Nuk është diçka që ndodhi brenda një dite, por efekti i një krisjeje që ka nisur që në vitin e largët 2013, kur dorëheqja e Berishës nga partia, refuzoi në të njëjtën kohë garën brenda partisë. Berisha ishte pjesë e trukimit të garës mes bashës dhe të ndjerit Olldashi dhe gjithë sapo ndodh sot, duket si një dëshmi që karma nuk harron kurrë të kthehet aty nga niset. Askush nuk mund të thotë sesa do të zgjasë agonia brenda PD-së, por fraksionet në krye të herës dhe legalizimi i tyre real në PD, pa dy B-të e PD-së, mund të jetë zgjidhja e procesit: të shpëtojmë ç’të mundemi.
Për herë të parë Berisha shkoi në Prokurori, pikërisht për të “vetët” për dhunën ndaj godinës dhe ndaj demokratëve brenda selisë. A do i shpëtojë kësaj here Berisha ligjit?
Berisha është vonuar të paktën çerek shekulli për të parë derën e prokurorisë. Nuk ka politikan tjetër si ai dhe sa ai që e ka merituar ballafaqimin me akuzën publike. I është shmangur asaj për shumë arsye, të cilat nisin sa nga forca e tij e pashtershme si individ, sa nga dobësia epike e sistemit të drejtësisë në vend, nga mungesa e traditës apo edhe nga fakti që përballë tij, edhe kundërshtarët e tij ishin bashkëmëkatarë me të. Për paradoks, përtej akuzave me zë, duke mos e lenë me veprime konkrete Berishën të shkojë në bankën e të akuzuarve, socialistët krijonin hap pas hapi shfajësimin e tyre. Sepse ju nevojitej për kontrast gjithmonë një fajtor më i madh se fajësia mes tyre, për të qenë të shfajësuar. Dhe kjo ka qenë arsyeja se pse spiralja e të ligës në politikë ka shkuar në qiell pa e provuar kurrë akuzën reale të prokurorisë. Ajo që bëri dhe frymëzoi Berisha në tetë janar me Bashën e blinduar përballë, është një karamele juridike përballë asaj që ka bërë në gjithë këto vite. Është njëlloj si të akuzosh dikë pse teshtiu pa vënë shaminë në hundë, ndërkohë që djeg shtëpinë e tij për “sport”. Dhe sporti i Berishës është politika; ai është benzina që ka përvëluar dhe helmuar gjithë shoqërinë shqiptare në mënyrë krejt të pamerituar në këto 30 vjet.
Edi Rama ftoi për një bashkëbisedim demokratët që mbetën në “ajër”. A është kjo ironi e tij apo…?
Ndoshta do të ishte më mirë që kryeministri të zgjidhte krejt tjetër formë reagimi. Fiks atë që ju ka kërkuar me gjasë bashkëpunëtorëve të tij: heshtjen dhe distancimin në publik mes dy palëve. Por atë e rrëmbeu thirrja në skenën publike, në të cilën ai është aktori kryesor, por që ja kishin zënë në mënyrën më absurde të mundshme, Basha e Berisha. Ishte një mënyrë për të hyrë në debat, në një kohë kur nga heshtja do të fitonte më shumë se nga fjalët. Por dëmi i kundërshtarëve të tij është kaq i madh, sa një shpullë më shumë dhe një më pak, një ironi më shumë apo një ironi e munguar nuk shton asgjë. Të mbytyrit nuk kanë frikë nga uji. Kështu që si me Ramën atë ditë apo pa të, hall i demokratëve është aq i madh sa nuk mund të rritet edhe më tej si tillë as nga kundërshtarët e tyre.
Në këtë situatë Ramës i nevojitet një PD e përçarë që të zgjasë në kohë konflikti mes tyre, apo i nevojitet opozita “pa konflikte” dhe institucionale për koperturë?
Rama ka nevojë edhe për Bashën, edhe për Berishën në PD. Duke mos pasur nevojë për ta si “aleatë”, ai e ka të dobishme t’i ketë të dy bashkë. Më saktë sherrin e tyre. Por ky është një proces që shkon shumë përtej vetë kryeministrit. Edhe pse në dukje është kështu, në thelb dhe për shoqërinë shqiptare, kjo është një dramë mbipartiake. Një opozitë e dobët nuk do të thotë një pushtet i fortë. Përkundrazi. Një opozitë e dobët le shkas për një qeverisje gjithmonë e më autoritare, egoiste dhe të paqortueshme. Dhe ky raport mes tyre, mes shumicës dhe pakicës, është fatkeqësi për të gjithë vendin. Me një fjali të vetme, sot PD është fiks siç do ta kishte ëndërruar Enver Hoxha, ditën kur demokratët idealistë dhe qytetarët e zemëruar të Tiranës i tërhiqnin zvarrë bustin në shesh. Madje as diktatori, ai mallkim i egër për shqiptarët, nuk do ta besonte se mallkimi i të vdekurit të tërhequr në asfalt, mund të tejkalohej kaq dhunshëm nga e vërteta e egër në PD-në e sotme.