Partia Demokratike ka reaguar për deklaratat e presidentit Ilir Meta në lidhje me protestën e 8 janarit duke i kërkuar që të qëndrojë larg selisë së PD së bashku me njerëzit e tij.
Në reagim thuhet se ndërhyrja e Metës është njësoj si e Ramës dhe tregon se të dy së bashku me Berishën i bashkon një hall që nuk ka lidhje me PD apo qytetarët shqiptarë.
Reagimi: Ilir Meta dhe njerëzit e tij duhet të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha.
Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë.
Pastrimi i llumit të tranzicionit është mision për çdo demokrat, për çdo qytetar shqiptar dhe është e vetmja rrugë që Shqipëria të ecë përpara drejt të ardhmes europiane.
Ditën e djeshme, në një intervistë për mediat maqedonase, kreu i shtetit bëri me faj Lulzim Bashën për pikën ku ka arritur sot partia më e madhe e opozitës. Sipas Metës, Basha si kryetar është kundërshtuar nga demokratët dhe për këtë arsye ai duhet t’i hapë rrugë votëbesimit.
Meta: Asnjë demokrat nuk i meritonte ngjarjet e 8 janarit. Kur një kryetar kontestohet, ai duhet t’i nënshtrohet një procesi votëbesimi. Duhet të tregojë apo të konfirmojë legjitimitetin e tij. Për fat të keq, prej kohësh kërkohet një konfrontim artificial dhe i përgjakshëm. “Udhëheqja e opozitës” po provokon një tension dhe pretendon në forma policore të imponojë një autoritet që nuk e ka. Sepse në demokraci autoriteti fitohet me votë. Konfirmohet me votë. Nuk fitohet me polici. Fitohet me procedura. Cdo krizë politike ka vetëm zgjidhje politike. Zgjidhja është vota.