Ndonëse ka marrë pjesë në takimet dhe në protestën e organizuar nga Sali Berisha, deputeti Luçiano Boçi është “falur” nga kreu i PD Lulzim Basha i cili pas 8 janarit përjashtoi nga partia ish-kryeministrin dhe 8 emra të tjerë, anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.
Boçi nuk bënte pjesë as te emrat e të përjashtuarve dhe as te 19 të pezulluarit nga anëtarësia si dhe nga funksionet e tjera në parti. I ftuar në “Radarin Informativ” në ABC Boçi e argumentoi vendimin e Bashës për të mos e ndëshkuar me faktin se nuk është anëtar i Komisionit të Rithemelimit.
“Unë dhe deputetët e tjerë që nuk jemi përjashtuar s’jemi anëtarë të Komisionit të Rithemelimit”, tha Boçi.
Në një intervistë për Abc Basha bëri një paralajmërim të fundit për përkrahësit e Berishës duke thënë se nëse nuk distancohen nga dhuna e 8 janarit do të kenë të njëjtin fat si ish-kryeministri. Këto vendime Boçi i ka cilësuar si të trishta.
“Është në vazhdën e arbitratitetit të vendimeve që Basha ka marrë me grupin e tij. Është e trishtë të dëgjosh Bashën që merr vendime të tilla. Vendimet e tij tejkalojnë çdolloj normaliteti politik”, tha Boçi.
I pyetur nëse dhe ai pret ndëshkim nga Basha, me përgjigjen e tij deputeti la të kuptohet që jo.
“Se ju thoni ndaj Bashës, dua të bëj një saktësim, qëndrimi im nuk është ndaj emrave të caktuar por karshi anëtarësisë së PD. PD ka çeduar në mënyrën si është drejtuar…. Janë disa motive të qëndrimeve të mia. Thirrja në grupin parlamentar ka munguar prej kohësh në telefonin tim. Unë isha në protestën e 8 janarit në pikën qendrore të parkimit të makinave të PD”, tha Boçi duke u dhënë një përgjigje të gjithë atyre që nuk e kanë parë në protestën e zhvilluar në PD.
Mes të tjerash deputeti u shpreh se nuk do krijohet grup i ri parlamentar nga Berisha.
“Nuk duhet të bëhet deklarimi i deputetëve në fillim të sesionit parlamentar, s’ka rregull të tillë. Nuk është se është menduar diçka e madhe, unë vij këtu si Luçiano dhe jap mendimin tim. Ne do jemi pjesë e parlamentit, jemi pjesë e grupit parlamentar të PD. Qëndrimet brenda grupit të PD zgjidhen brenda PD, s’mund të hyjë Taulant Balla, këto janë hile, kjo është poshtërsi e vogël. Nuk do ketë grup më vete të Berishës. Do jemi pjesë e këtij grupi, Rushaj është kryetar grupi, nuk shoh gjë të keqe. Në qëndrimet e tij është në atë pjesën e funksionit parlamentar”, u shpreh deputeti në Abc.
Ai ka komentuar edhe deklaratat e Gabriel Escobar mbi zhvillimte në PD si dhe akuzat e atyre që u shprehën se qëllimi i protestës në ishte vrasja e disa deputetëve.
“Dhuna erdhi me gaz nga lart dhe u pasua më pas nga helmimi me gaz lotsjellës nga ndërhyrja e policisë. Shkopinjtë e kazmave janë të filmuara dhe erdhën nga lart. Zoti Ngjela flet si Spartak Braho dhe Basha flet si të dy, kur thonë se qëllimi i protestës ishte vrasja e zyrtarëve. Këto teza janë të papranueshme dhe të rrezikshme. Ishte protestë për zbatimin e vendimeve të kuvendit të 11 dhjetorit. Ngarkesat e tjera janë emocionale, kurthe. Data 8 ishte e paralajmëruar dhe s’kishte pse të thirrej një mbledhje e stisur. Nuk ka pasur skenar dhune, jemi kundër dhunës por për kutinë e votimit”, tha më tej Boçi.