Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka dërguar një letër urimi presidentit të Asamblesë Kombëtare të Francës, Richard Ferrand, me rastin e marrjes nga Franca të Presidencës së BE-së.

“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, shpreh urimet dhe besimin se Presidenca Franceze do të shënojë një sukses drejt fuqizimit të Bashkimit Evropian, konsolidimit të vlerave evropiane dhe rritjes së kontributit në zhvillimin, mirëqenien dhe paqen e sigurinë në kontinent e më gjerë. Franca është një mike dhe partnere e rëndësishme e Shqipërisë në NATO, një mbështetëse e rrugëtimit tonë evropian, e zhvillimit ekonomik dhe konsolidimit të vlerave dhe institucioneve demokratike. Ne i jemi mirënjohës Asamblesë Kombëtare të Francës dhe ju personalisht për mbështetjen e deritanishme të integrimit evropian të Shqipërisë”, shprehet Nikolla

Nikolla theksoi se Shqipëria mirëpret vazhdimin nga Presidenca Franceze të politikave e hapave të zgjerimit, dhe përfshirjen në prioritetet e saj të avancimit, thellimit të bashkëpunimit dhe rritjen e rolit aktiv në Ballkanin Perëndimor, mbështetjen e vazhdimit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mbështetjen për vazhdimin e thellimin e reformave, nxitjen e bashkëpunimit rajonal si edhe organizimin e Konferencës për Ballkanin Perëndimor në qershor 2022.

“Kuvendi i Shqipërisë dhe unë personalisht jemi të bindur se, duke pasur edhe mbështetjen e Asamblesë Kombëtare dhe Tuajën personalisht, Konferenca e Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri do të mbahet sa më shpejt gjatë Presidencës Franceze”, shkruan kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në letrën drejtuar presidentit të Asamblesë Kombëtare të Francës, Richard Ferrand.