Dega e Partisë Socialiste në Shkodër ka hedhur akuza ndaj kryetares në detyrë të Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ku thotë se ka shkelur afatin ligjor të vendosur nga KQZ për publikimin e listave të zgjedhësve. Zëdhënësi i PS Shkodër, Erion Metushi tha se afati i fundit ishte 27 janari, ndërsa Bashkia Shkodër nuk e ka bërë ende publike këtë listë, ndërkohë që data shënon 28 janar. Ai kërkon gjithashtu bashkëpunimin e palët politike të përfshira në procesin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për garantimin e zgjedhjeve me standard dhe qytetari.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e datës 22.01.2022 ka miratuar afatet për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie që do zhvillohen me 6 Mars, ku në pikën numër 3 të njoftimit zyrtar për afatet nga KQZ shkruhet: Zyrat e Gjendjes Civile hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 25 Janar 2022. Ndërkohë që brenda 48 orëve nga përfundimi i përditësimit kryetarët e njësive vendore i miratojnë dhe i shpallin listat sipas nenit 48 të Kodit Zgjedhor. Bashkia Shkoder, që në nisje të këtij procesi është jashtë afateve ligjore. Listat duhet të ishin miratuar dhe shpallur që ditën e enjte datë 27 Janar, por dhe pas 24 orëve ky detyrim nuk është përmbushur. Partia Socialiste Shkodër i bën thirrje znj. Voltana Ademi që të bëjë publike menjëherë listat e zgjedhësve dhe të mos bëhet pengesë, në mbarëvajtjen e këtij procesi. Gjithashtu ftojmë institucionet dhe palët politike të përfshira në procesin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kreun e bashkisë Shkodër, të jenë bashkëpunuese dhe bashkëvepruese në garantimin e zgjedhjeve me standard dhe qytetari”, shkruan Metushi.

Ndërkohë që na ndajnë pak më shumë se 1 muaj nga zgjedhjet, fushata zgjedhore do të zgjasë vetëm 14 ditë, ndërsa 654,538 qytetarë kanë të drejtë vote për të zgjedhur kandidatin e tyre në zgjedhjet vendore të 6 marsit për bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Nga rreth 654 mijë qytetarë me të drejtë vote, 10.134 zgjedhës votojnë për herë të pare, ndërsa 135 të tjerë nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit. Ndërkohë që PS, PD dhe LSI janë regjistruar si parti në KQZ për të marrë pjesë në këto zgjedhje.