Kryeministri britanik Boris Johnson ka kërkuar falje për një festë të mbajtur në Downing Street gjatë karantinës së parë të vendosur kundër koronavirusit. Faljen, Johnson e ka kërkuar ndërsa përballej me deputetët në Parlament.
Në një seancë të nxehtë në parlament të mërkurën, lideri laburist i opozitës Sir Keir Starmer i bëri thirrje Johnson të jepte dorëheqjen. Zhvillimet vijnë në një kohë kur në vend ka një zemërim të publikut mbi akuzat e fundit se kryeministri dhe stafi i tij shpërfillën kufizimet duke bërë një festë në maj 2020.
Pretendohet se dhjetëra nga stafi i Johnson, si dhe vetë kryeministri së bashku me gruan e tij, morën pjesë në eventin në kopshtin e Doëning Street gjatë izolimit të parë të koronavirusit, në një kohë kur grumbullimet ishin të ndaluara.
“Dua të kërkoj falje”, tha Boris Johnson teksa doli para deputetëve. “Unë e di se miliona njerëz në të gjithë këtë vend kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme gjatë 18 muajve të fundit.”
“E di zemërimin që ndjejnë me mua dhe me qeverinë që unë drejtoj, kur mendojnë se në vetë Downing Street rregullat nuk ndiqen siç duhet nga njerëzit që bëjnë rregullat”.
“Ka pasur gjëra që thjesht nuk i kemi bërë mirë dhe unë duhet të marr përgjegjësinë”, shtoi kryeministri.