Turqia dhe Shqipëria kanë nënshkruar këtë pasdite 7 marrëveshje. Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp me Presidentin turk, Erdogan, theksoi se një vit më parë në Ankara kanë firmosur një deklaratë për të ndërtuar Këshillin e Bashkëpunimit të nivelit të lartë. Ndër të tjera, kreu i qeverisë, Edi Rama, theksoi se Turqia është një shembull dhe do të forcojnë më tej marrëdhëniet me njëri-tjetrin duke bashkëpunuar në shumë fusha.
“I dashur miku im, dhe ju të nderuar që shoqëroni Presidentin, sot është një ditë e rëndësishme dhe e bukur siç është çdo ditë kur hapim dyert për të pritur miqtë nga vendi juaj. Sot kemi qenë së bashku në kurorëzimin e një përpjekjeje të jashtëzakonshme miqësore, vëllazërore dhe dashamirëse për të mbështetur rilindjen e një komuniteti aty ku tërmeti goditi shumë fort dhe ku sot 522 familje janë në kushte shumë më të mira se ato që kishin përpara se tërmeti t’i linte pa shtëpitë e tyre dhe edhe njëherë dua të falenderoj Erdogan që u gjend pranë nesh në sekondat e para pas goditjes së tërmetit që u angazhua publikisht i pari dhe me një angazhim konkret dhe që e mbajti fjalën, por kjo e fundit nuk përbën lajm kur bëhet fjalë për Erdogan pasi atë që thotë ai e bën. Falenderoj të gjithë ata që i dhanë jetë kësaj nisme bujare dhe jo të lehtë që nga ministri Murat, tek kompania, punëtorët, sepse jo vetëm ndryshuan jetën e këtyre njerëzve por ndërtuan një tjetër shembull shumë domethënës për vlerën dhe për thellësinë e marrëdhënies shqiptaro-turke. Faleminderit të gjithëve. Mbase dikush mendon se po e teproj me falënderime, por siç thoshte profeti Muhamed, paqja e zotit qoftë mbi të, kush nuk i falenderon njerëzit nuk e ka falënderuar zotin. Shumë faleminderit. Një vit më parë kemi firmosur në Ankara një deklaratë për të ndërtuar Këshillin e Bashkëpunimit të nivelit të lartë. Kemi 1 vit nismash dhe realizimesh konkrete që dëshmojnë vlerën e shtuar të këtij këshilli dhe takimi i Ankarasë ishte çelja e një kapitulli të ri mes nesh. Në Ankara nuk e vura bastin me Presidentin Erdogan për spitalin e Fierit se do e kisha humbur, fatmirësisht nuk e vura, aq më tepër që ai nuk vë baste. E ndjek futbollin pa baste. Sot ne kemi një spital që është jo vetëm një strukturë e re. Do rrisim kapacitetet në fushën e inteligjencës në fushën e të ardhurave doganore e tatimore. Do fuqizojmë marrëdhëniet ekonomike, rritjen e nivelit tregtar dhe për të rritur marrëdhëniet në fushën e turizmit. S’jemi xheloz për fqinjët, por sesi na vjen kur miliona turistë nga Turqia shkojnë në vendet fqinje në rajon dhe në Shqipëri numri i turistëve nuk përputhet me nivelin e dashurisë sonë për turqit.”-deklaroi Rama.