Trajneri i përkohshëm i Manchester Unitedit, Ralf Rangnick, e ka lavdëruar atmosferën në Old Trafford, paraqitjen e skuadrës së tij në mbrojtje dhe ndikimin e Marcus Rashfordit në fitoren dramatike të Unitedit kundër West Hamit të shtunën.

Unitedi dhe West Hami, rivalë për top katërshe në Premierligë, u duk sikur do të barazonin falë një paraqitjeje të fortë të skuadrës së David Moyes.

West Hami e kishte fituar këtë sezon në këtë stadium në garën e kupës së ligës, por Unitedi doli triumfues këtë herë, pasi Rangnick e futi në fushë treshen sulmuese Anthony Martial, Edinson Cavani dhe Rashford.

Të tre sulmuesit u përfshinë në golin e triumfit në çastet e fundit të kohës shtesë, duke ia siguruar Unitedit fitoren 1:0.

“Nëse i shikon goditjen në portë dhe mundësitë e shënimit gjatë ndeshjes, mendoj se ne e merituam fitoren 1:0”, tha Rangnick.

“Mendoj se kjo ishte mbase paraqitja jonë më e mirë në mbrojtje në tetë javët e fundit. Mund vetëm ta falënderoj ushtrinë e kuqe. Mënyra sesi ata e përkrahën ekipin gjatë gjithë ndeshjes, ata na shtynë dhe ishin me ne gjatë gjithë ndeshjes. Kjo ishte atmosfera më e mirë në këtë stadium prej se jam këtu”, nënvizoi ai.

Ai e lartësoi Rashfordin, i cili e shënoi golin e triumfit: “Ai është njëri prej sulmuesve kryesor në Angli. Ai ka gati gjithçka çka i duhet një sulmuesi modern.”