Anëtari i Kryesisë së PD, Roland Bejko fajëson ish-kryeministrin Sali Berisha për luftën e ashpër ndër radhët e demokratëve. Në një lidhje direkte në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”,Bejko akuzon ish-liderin historik të së djathtës se kërkon të rikthehet në krye të kampit blu përmes dhunës. “31 vite pas pluralizmit politik të viteve ‘90, duket sikur spiralja është mbyllur dhe nuk ka një zhvillim me vektor lart, por duket sikur jemi kthyer në pikën e nisjes. Nuk kemi më vullnetarët e Enverit që na sulmojnë, por komunistët e fundit që kanë ngelur nga lindja ish-komuniste. Kjo që po ndodh tani është e turpshme. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës. Është grusht shteti i zotit Berisha, i menduar mirë, i kalkuluar mirë që kur u shpall non-grata…Berisha ka krijuar një lëvizje populiste brenda PD, jolegjitime, është lëvizje e dhunshme. Pas katër muajsh dhunë verbale u konkretizua me dhunë fizike nga të gjitha pikëpamjet, vazhdon sot në mënyrë të çartur që të nxjerrë vullnetarët e vetë në rrugë. Duan që nëpërmjet frikës dhe identifikimit të armiqve t’i mbajë demokratët larg dhe të deligjitimojë Bashën. Me forma tribale, ai kërkon që të vijë në krye të PD.”

Bejko u pyet edhe për zgjedhjet e pjesshme lokale në gjashtë bashkitë e vendit që kanë mbetur pa kryetarë: “PD do të futet në këto zgjedhje, do të bëjë luftën e vetë. Berisha ka identifikuar armiqtë dhe do të bëjë çfarë është e mundur që mos t’i fitojë Lulzim Basha. Do të mundohet me propagandën e vetë që të hedhë baltë e pluhur mbi kandidatët e Bashës. Berisha, problemin e ka pasur me SHBA-në, tani nuk e ka vetëm me ata, e ka me të gjithë ne. Ka vendosur distancë të largët. Kemi filluar të bëhemi pishman që e kemi mbështetur gjatë atyre viteve ku kemi bashkëpunuar me të. Tami arrijmë të kuptojmë edhe kundërshtarët tanë politikë dhe elektoratin gri që nuk e votonin. Berisha dhe dhuna janë një, nuk mund të ndahen.”