Stefano Sensi i jep lamtumirën Interit. I afruar me shumë bujë te zikaltrit, dy vite e gjysmë më parë, mesfushori i përfaqësueses italiane ka lënë përkohësisht Interin duke u transferuar në formë huazimi te Sampdoria për pjesën e mbetur të këtij sezoni.
Dëshira e Sensit për të qenë pjesë e Italisë në fazën play-off të eliminatoreve të Katar 2022, e kanë detyruar futbollistin të braktisë kampionët e Italisë, pasi te zikaltrit kishte pak hapësira në formacion ndërkohë që te Sampi pritet të aktivizohet rregullisht.
Por ndërkohë që Sensi largohet, Felipe Caicedo mund të konsiderohet futbollisti më i ri i Interit pasi ka kaluar dhe vizitat mjekësore. Sulmuesi ekuadorian vjen në huazim falas nga Genoa për 6 muaj, me Caicedon që ribashkohet me trajnerin Simone Inzaghi me të cilin bëri paraqitje të shkëlqyera te Lazio.