Më shumë se 3.000 fluturime janë anuluar në disa nga aeroportet më të ngarkuara të SHBA-së për shkak të reshjeve intensive të borës në lindje të vendit.

Paralajmërimet për stuhi bore janë bërë në 10 shtete përfshirë Maine, New Hampshire, Massachusetts, Rhode Island, Connecticut, New York, New Jersey, Delaware, Maryland dhe Virxhinia.

Për shkak të reshjeve të mëdha të borës në aeroportet e këtyre shteteve u anuluan mbi 3.000 fluturime.

Po ashtu kompania hekurudhore “Amtrak” pezulloi dhe kufizoi shërbimet e saj në linjën Boston-Washington.

Zyrtarët kanë paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë larg nga rrugët.

Ndërkohë, Rhode Island i cili ndodhet nën paralajmërimin për stuhi bore, që nga ora 08:00 e mëngjesit ka ndaluar të gjitha udhëtimet tokësore përveç atyre emergjente.

Massachusetts ka ndaluar kamionët e rëndë në autostradat ndër-rajonale ndërsa Delaware në dy prej tre rajoneve të saj ka lejuar përdorimin e mjeteve vetëm për personelin bazë.

Edhe në Virxhinia qindra drejtues u bllokuan në autostradën “Interstate 95” për shkak të stuhisë së borës.