Shoqata Rajonale e Gjirokastres ka kallzuar në Prokurori sekretarin e Përgjjthshëm të FSHF-së Ilir Shulkun dhe kryetarin e Shoqatës Rajonale Sadik Sadikajn.
Kallëzimi është bërë për veprat penale të “Falsifikimi i dokumentave”, “Shpërdorim detyre”,Ndërhyrje në sisteme kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”parashikuar nga nenet 186, 248, 293-c, 186-a të Kodit Penal.
Kallëzimi mbështetet në veprimet e kundraligjshme të ndërmarra nga Ilir Shulku Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare te Futbollit, Sadik Sadikaj Kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, në procedurën e zgjedhjes së delegatëve, në cilësinë e përfaqësuesve të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Gjirokastërs, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.
Kallzimi penal i është paraqitur Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, në kushtet kur kemi të bëjmë me vazhdimësinë e një aktiviteti kriminal të ndërmarrë nga Drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit Tiranë, në bashkëpunim me Kryetar të Shoqatave Rajonale të Futbollit në përzgjedhjen e delegatëve, me qëllim ndikimin apo paracaktimin e rezultatit të zgjedhjeve që do zhvillohen nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së, me datë 2 Mars 2022.
Veprimtaria e kundraligjshme është iniciuar fillimisht nga zyrat e FSHF-së, nëpërmjet dërgimit të emaileve për thirrjen e mbledhjeve të Shoqatave Rajonale të Futbollit, duke ndërhyrë në të dhënat kompjuterike të shoqatave rajonale, duke vijuar më tej në përcaktimin e procedurave, si dhe duke ndikuar në rezultatin e Asamblesë së Shoqatave Rajonale.
Gjithashtu në padi bëhet me dije fakti se kjo veprimtari kriminale është paraprirë nga një tjetër procedurë e paligjshme, pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme në lidhje me vendimarrjen e Komisionit të Verifikimit pranë FSHF-së, konkretisht në lidhje me vendimin Nr. 1, datë 10.01.2022, “Për Verifikimin e Numrit të Delegatëve për Futbollin Profesionist, Shoqatat Rajonale dhe Shoqatat e Profesioneve të lidhura me Futbollin në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së”.
Në kallzimin theksohet se ekzistojnë dyshime të arsyeshmë për ndikim të jashtëligjshëm në procesin e zgjedhjes se Kreut të FSHF-së, me qëllim paracaktimin e rezultatit, pasi në disa shoqata rajonale para procesit zgjedhor, është shtuar numri i delegatëve dhe në disa prej tyre është reduktuar, pa asnjë shkak të ligjshëm, në kundërshtim flagrant me parashikimet e Statutit dhe Rregullores së Përgjithshme të FSHF-së.
Antarët e Shoqatës Rajonale të Gjirokastrës kërkojnë kryerjen e veprimeve hetimore në lidhje me procedurën ligjore të ndjekur nga Komisioni i Verifikimit, për caktimin e numrit të delegatëve të Shoqatës së SHRFK-së.