Pas skandalit të sotëm në zgjedhjet për zgjedhjen e kreut të Shoqatës së Futbollit Tiranë, ka reaguar për herë të parë dhe Dritan Shakohoxha, kandidat për president të FSHF.

Në një intervistë në News 24, Shakohoxha thotë se Armando Duka po bën çdo gjë për të trukuar rezultatin e zgjedhjeve pasi ka frikë nga vota e ndershme.
“Po provohet të trukohet rezultati i zgjedhjeve. Janë vendosur me 2 mars, por çdo Asamble Rajonale e bën gjithnjë e më të pavlefshme mbledhjen në 2 marsit se nuk do të ketë vlerë. Të gjithë klubet që po rrinë gjakftohta nuk e kuptojnë që FSHF po trukon rezultatet e zgjedhjeve, po kurdis me gjakftohtësi e mashtrim spektakolar. FSHF ishte organizatore e Asamblesë së sotme, të Shoqatës së Tiranës që nuk ekziston. Mema që ishte kryetar ishte emëruar, gjithçka ka qenë false. Edhe ai thotë nuk edi se kush ma ka dhënë, se dokumentet janë në zyrat e FSHF, si të Shoqatave të çdo qyteti. Sot është bërë një mashtrim shumë i shëmtuar. Në këtë mbledhje befas janë zbuluar 15 njerëz që nuk kanë lidhje me këtë ambient. Për shembull ishte një shoqatë me një person Dario Mehmetllari, pronari i shoqatës nuk e njeh. Një personazh tjetër është Ajson Lala, nuk ka asnjë lidhje me futbollin, apo Albi Masha. I kontrollon dhe i sheh që nuk kanë asnjë lidhje, kanë ardhur të bëjnë përmbysjen e rezultateve të zgjedhjeve, se në një shoqatë si e Tiranës, unë kam marrë listë në gjykatë. Kështu zgjedhje janë padyshim janë të trukuara, nuk e kuptoj motivin pse gjithë ky pasion i çmendur për të trukuar këtë rezultat, pse kanë kaq frikë nga vota e Fair Play, nuk e di pse. Sot ishte kulmi, kanë bllokuar kandidatin në Durrës me letra false, duke i provokuar e kërcënuar anëtarët e Shoqatës. Në Fier nuk e pranuan, në Elbasan morën firmat për kandidimin e tij dhe pastaj shpallën zgjedhje, kudo kanë bërë trukime të pafundme. Është zero transparencë, është ambient i mbyllur, kush voton në Fier? Kush është në Gjirokastër, në Korçë, nuk e di askush”, tha Shakohoxha.

Shakohoxha thotë se FSHF po bën presion dhe votat fiktive të shtuara sot nga Duka përbëjnë një akt kriminal. “Ajo që unë dua është që njerëzit e futbollit të kenë shansin të shprehin vullnetin e tyre lirisht dhe të papresionuar, të pakërcënuar, të patrukuar. 15 emrat që janë shtuar sot në Shoqatën e Tiranës realisht janë një abuzim, besoj kriminal. Unë besoj që ka një gjë që është kriminale, është që t’i të shpikësh 15 njerëz, 15 delegatë për të trukuar rezultatin. Imagjino se sa mbrapa ishte Federata në rezultatin përballë të tjerëve, pra sa humbëse ishte Federata sa iu desh të shpikte 15 delegatë për të trukuar rezultatin. Në 53 delegatë, shtoi edhe 15 të tjerë. Federata siç është lista e zgjedhësve që ti nuk e gjen kurrë, ashtu janë edhe faturat apo pagesat që bën FSHF që nuk i gjen kurrë. Realisht është një bunker , ndoshta kjo është gjëja që i tremb më shumë, sa po luftojnë kaq ashpër, se s’po gjej një motiv pse duhet të luftosh me çdo armë, pa asnjë limit e moral, pa asnjë kursim për ta mbajtur Federatën. Ndoshta i tremb fakti që po të mos jenë aty, cilido që të jetë, që do vijë, mund të gjejë gjëra që ata i rrezikojnë shumë. Nuk e di, nuk gjej një motiv se pse duhet të bësh kaq shumë terror për të mbajtur një institucion”, theksoi Shakohoxha.