Në seancën e tij të parë të pyetjeve drejtuar qeverisë federale nga deputetët e Bundestagut, kancelari gjerman, Olaf Scholz, mbrojti politikën e koronas të koalicionit qeveritar
Përballë përhapjes së variantit të virusit Omikron, numri i infektimeve pritet të vazhdojë të rritet. dhe priten situata të ngjashme me ato në vendet fqinje, tha kancelari socialdemokrat Olaf Scholz. Pandemia është aktualisht në një fazë vendimtare, shtoi ai.
Ajo që ka rëndësi tani është respektimi i masave dhe ndjekja e vazhdueshme e tyre, shtoi ai. Vaksinimi mbetet edhe më tej rruga për të dalë nga pandemia. Prandaj synimi është të shtohen edhe më tepër përpjekjet në këtë drejtim. Qëllimi është të bëhen një milion vaksina në ditë, shpjegoi Scholz-i. Më tej, kancelari konfirmoi se i përmbahet futjes së një detyrimi të përgjithshëm vaksinimi. Koalicioni do të vazhdojë këtë rrugë.
Në debatin që pasoi, sekretari ekzekutiv i grupit parlamentar unionist, Torsten Frei, i bëri thirrje qeverisë federale që të paraqesë një propozim legjislativ në Bundestag në lidhje me vaksinimin e detyrueshëm. Sipas Frei-t, fakti që kjo ende nuk është bërë është një shenjë e dyshimtë. Kryetari i grupit parlamentar të AfD-së në Bundestag, Tino Chrupalla, e kritikoi vazhdimin e vendosjes së vaksinimit të detyrueshëm. Sipas tij, kjo errëson problemet reale të Gjermanisë./DW