Kryeministri Rama mbajti sot një konferencë të përbashkët për shtyp me General Jones, në kuadër të firmosjes së marrëveshjes për përforcimin e sistemeve të sigurisë kibernetike në vend. Ai falenderoi themeluesin e grupi Jones International, Gjeneralin Jones, duke shpjeguar se sistemi i ri i mbrojtjes kibernetike në Shqipëri synohet të shndërrohet në një vlerë të shtuar për NATO-n gjithashtu.
“Jemi të nderuar të punojmë me ju dhe grupin tuaj dhe është një privilegj i veçantë që sot finalizojmë një bashkëbisedim të nisur prej disa kohësh mes qeverisë shqiptare dhe grupit të drejtuar prej jush duke firmosur një marrëveshje që hap rrugën e një bashkëpunimi intensive për të ngritur në një nivel tjetër të gjithë kapacitetet digjitale dhe sistemin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë. Këtu nuk është thjesht çështja për të ndërtuar një sërë sistemesh sigurie, por për të ndërtuar një sistem tërësor sigurie, i cili do të ketë mundësi të ofrojë një vlerë e shtuar edhe për NATO-n” tha Kryeministri.
Rama renditi zhvillimet e fundit të Shqipërisë në lidhje me teknologjinë si dhe rëndësinë e revolucionit digjital për vendin.
“Avantazhi i vendeve më pak të zhvilluara, në kohën që jetojmë është i panjohur në histori, falë teknologjisë. Moszhvillimi i mjaftueshëm kthehet në avntazh dhe teknologjia kthehet në një shans për të bërë kapërcime të jashtëzkonshme, si kapërcimi që ne kemi realizuar me tranformimin tërësor të të gjitha shërbimeve dhe dokumentave të shtetit shqiptar në shërbime online, duke mundësuar që këtë vit të bëjmë një ndërhyrje radikale në sistem duke i mbyllur të gjitha sportelet fizike për t’i ofruar qytetarëve tanë të gjitha shërbimet pa dalë nga shtëpia, falë ndihmës tuaj për të pasur një bazë të dhënash të këtyre shërbimeve tërësisht të garantuar”.
Kryeministri gjithashtu theksoi se marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë gjenden në një fazë të re, sa i përket aspektit strategjik dhe investimeve në fushën e mbrojtjes, duke iu referuar ngritjes së bazës së re speciale ushtarake të SHBA-ve në Shqipëri.
“Ne jemi në një fazë të re të marrdhënieve me SHBA-të dhe me NATO-n, kemi disa investime të rëndësishme në infrastrukturën kritike dhe në aspektin strategjik, ku hyjnë edhe investimet në fushën e mbrojtjes. Në këtë aspekt ne vlerësojmë shumë këtë mundësi bashkëpunimi me ju për të adresuar dhe sfidën e madhe të ngritjes së një qendre të madhe të mbrojtjes kibernetike, që të jetë në shërbim të ushtrisë sonë, por edhe të gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me pjesën civile të shoqërisë. Është një sfidë e jashtëzakonshme, por ne jemi të bindur që duke pasur dhe ndihmën, mbështetjen, e kurajon tuaj për të mos pasur frikë, ne do ja dalim të kemi një qendër kombëtare sigurie kibernetike, që të jetë një vlerë e shtuar për NATO, duke dhënë shërbime dhe përtej kufijve të Shqipërisë”.
Rama iu referua edhe ngjarjes së rrjedhjes së të dhënave personale, me pagat e punonjësve duke theksuar se kjo marrëveshje do të zgjidhë përfundimisht edhe problemet e rrjedhjes së të dhënave nga persona të brendshëm, pasi sqaroi edhe njëherë se rrjedhja e të dhënave nuk erdhi si pasojë e një sulmi kibernetik.
“Përpara pak kohe patëm një ngjarje të rëndë, rrjedhjen e disa të dhënave personale që lidhen me pagat e punonjësve në Republikën e Shqipërisë, ngjarje nga ato që kanë ndodhur edhe në vende nga më të zhvilluarat, por që na jep mësimin se nuk janë vetëm sulmet anonime kibernetike nga të cilat ne duhet të jemi të mbrojtur, por janë dhe sulmet nga brenda prej personash të infiltruar, të paguar, qoftë edhe të papërgjegjshëm.
Prandaj e vlerësoj shumë aspektin e marrëveshjes sonë që ka të bëjë me garancinë se kapaciteti dëmprurës i individëve do të jetë shumë më i reduktuar dhe se një sistem i tërë i rritjes së burimeve njerëzore në të gjithë rrjetin e njerëzve që merren me shërbimet digjitale dhe mbrojtjen kibernetike do të vihet në funksion ashtu sikundër do të vihen në funksion edhe programe të posaçme që eksperienca juaj i disponon për të siguruar që aftësia e cilitdo personi për ta penetruar sistemin do të jetë shumë e kufizuar pasi vetë sistemi do të ketë shumë mure mbrojtëse edhe nga ndërhyrja e individëve.
Ky është një lajm shumë i mirë dhe për ata që u lënduan padrejtësisht nga dalja e të dhënave personale, besoj se dalja e të dhënave personale për pagat ishte një e keqe që nuk erdhi vetëm për keq, pasi të gjithë shqiptarët panë me sytë e tyre një problem të cilin sot e kemi më të lehtë se dje ta adresojmë në aspektin e marrëdhënies ligjore dhe morale të shumë punëdhënësve me shtetin dhe me punonjësit, ashtu sikundër të gjithë shqiparët përjetuan edhe efektet negative të një sulmi mbi sistemin që e bën marrëveshjen e sotme edhe më të mirëseardhur për ta pasi vijnë nga një eksperiencë e freskët dëmtuese dhe sot e shohin me lehtësim përfshirjen tuaj personale dhe të grupit Jones International në këtë përpjekje të qeverisë shqiptare” e mbylli fjalën e tij Kryeministri duke falenderuar edhe njëherë Gjeneralin dhe grupin amerikan për bashkëpunimin.