Kazakistani ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të protestave për rritjen e çmimit të gazit. As atje nuk mungojnë shqiptarët, të cilët shprehen shumë të shqetësuar për situatën. Duke folur për Radio Evropa e Lirë, shtetasi kosovar Kastrioti (emri i vërtetë nuk bëhet publik), ka treguar se punon në Kazakistan që në vitin 2021 dhe së bashku me punëtorë të tjerë kosovarë, po jeton në kryeqytetin Nur Sulltan. Gjendja në qytetin e tij, ai thotë, se është e qetë krahasuar me qytetet e tjera si Almati, por sipas urdhrit të autoriteteve, janë të mbyllur në banesë.
“Na kanë mbyllur, nuk mund të dalim. As te dera e as në shitore nuk mund të dalim. Normalisht që po frikësohemi sepse ne këtu nuk kemi as Ambasadë. Sot (kompania) na i kanë sjellë pasaportat dhe nuk na kanë dhënë ndonjë lajm se çfarë do të bëjmë, vetëm na kanë thënë ‘nesër e keni pushim,” tregoi Por gjendja e jashtëzakonshme është shoqëruar me ndërprerje masive të internetit dhe valëve telefonike dhe kjo ka shtuar shqetësimin për këta qytetarë. “Familjarët janë shqetësuar se dy ditë nuk kemi pasur internet, sepse e ka ndalur Kazakistani, do të thotë nuk kemi pasur si t’i lajmërojmë”, thotë ai. Interneti ndërkohë më 6 janar është rikthyer. Aeroportet janë mbyllur, ne po presim të qetësohet situata. Kompania në fakt nuk ka lajmëruar asgjë,”
Kastrioti, ndërkohë, tregon se është i shqetësuar për kolegët e shokët e tij që gjenden në qytete si Almati me më shumë trazira.
Çfarë po ndodh në Kazakistan? Kazakistani po përjeton protestat më të këqija në rrugë që vendi ka parë që nga fitimi i pavarësisë tri dekada më parë. Shpërthimi i destabilitetit po shkakton shqetësim të madh në dy fqinjët e fuqishëm të Kazakistanit: Rusinë dhe Kinën. Vendi shet shumicën e eksporteve të naftës në Kinë dhe është një aleat kryesor strategjik i Moskës. Një rritje e papritur e çmimit të karburantit të makinave në fillim të vitit shkaktoi protestat e para në një qytet të largët nafte në perëndim. Por, dhjetëra mijëra protestues që kanë dalë që atëherë në rrugë në shumë qytete, tani kanë në sy të gjithë qeverinë autoritare.
Presidenti Kassym-Jomart Tokayev fillimisht kërkoi të qetësonte turmat duke shkarkuar të gjithë qeverinë herët të mërkurën (5 janar). Por, në fund të ditës ai kishte ndryshuar qëndrim. Së pari, ai i përshkroi demonstruesit si terroristë. Pastaj ai i bëri thirrje një aleance ushtarake të udhëhequr nga Rusia, Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, për ndihmë në shtypjen e kryengritjes dhe CSTO ra dakord të dërgonte një numër të pacaktuar paqeruajtësish.