Ish-sekretari i Brexit-it, David Davis, i cili u bë anëtari më i lartë i Partisë Konservatore në pushtet i Britanisë së Madhe, i bëri thirrje kryeministrit Boris Johnson të jepte dorëheqje, duke i thënë atij në parlament: “Në emër të Zotit, largohu”.
Komentet dramatike të Davis erdhën gjatë seancës javore të Pyetjeve të Kryeministrit (PMQ) në parlament dhe shkaktuan habi të zhurmshme në sallë.
Johnson i përfshirë nga disa skandale pati një seancë të vështirë, ku u dorëzuan shumë letra që bënin thirrje për zgjedhje të lidershipit brenda partisë më herët gjatë ditës.
Davis, një anëtar i lartë konservator dhe ish-kandidat për udhëheqje tha në parlament: “Unë pres që liderët e mi të mbajnë përgjegjësinë për veprimet që ndërmarrin. Dje, ai bëri të kundërtën e kësaj”.
Ai ia kujtoi kryeministrit një citat, duke i kërkuar: “Në emër të Zotit, largohu”.
Johnson kërkoi falje për festën në “Downing Street” më 20 maj 2020 në një kohë kur britanikët e kishin të ndaluar të mblidheshin për shkak të kufizimeve të rrepta të COVID-19, sepse ai besonte se kjo ishte një ngjarje pune dhe se as nuk ishte bërë fjalë për festën paraprakisht dhe as se ishte në kundërshtim me rregullat e tij të bllokimit.
Sir Keir Starmer, kreu i Partisë kryesore opozitare Laburiste tha se arsyetimet e Johnsonit ishin “absurde dhe sinqerisht të pabesueshme”.
Në përgjigje të pyetjeve të zemëruara nga ligjvënësit, Johnson vazhdimisht refuzonte të jepte dorëheqje. Pavarësisht një debati të zjarrtë, thirrjet e tij drejtuar anëtarëve të parlamentit që të prisnin rezultatet e hetimit u pritën me të qeshura në sallë. Johnson ka porositur një raport nga një nëpunës civil mbi pretendimet e aheng në “Downing Street” ndërsa pjesa tjetër e vendit ishte nën izolim.
Një tjetër goditje shkatërruese Johnsonit i erdhi nga Christian Wakeford, një nga deputetët e tij, i cili u zgjodh në vitin 2019 në Bury South në veri të Anglisë, i cili dezertoi nga Partia e tij Konservatore në Partinë Laburiste ndërsa njoftimi erdhi pak para seancës së sotme.
Wakeford në letrën e dorëheqjes së tij shkroi: “Ju (Johnson) dhe Partia Konservatore në tërësi e keni treguar veten të paaftë për të ofruar lidershipin dhe qeverinë që meriton ky vend”.
“Kam arritur në përfundimin se politikat e qeverisë konservatore që ju drejtoni nuk po bëjnë asgjë për të ndihmuar banorët e zonës time elektorale dhe në të vërtetë vetëm se po i përkeqësojnë hallet me të cilat përballen çdo ditë”, shtoi ai.
Ndërsa Johnson u kundërpërgjigj: “Partia Konservatore fitoi Bury South për herë të parë në breza nën këtë kryeministër me një axhendë bashkimi, nivelimi dhe ofrimi për banorët e Bury South. Ne do të fitojmë sërish në Bury South në zgjedhjet e ardhshme nën këtë kryeministër”.
Starmer i tha Johnsonit: “Unë jam i vendosur të ndërtoj një Britani të re që garanton siguri, prosperitet dhe respekt për të gjithë dhe jam i kënaqur që Christian ka vendosur të bashkohet me ne në këtë përpjekje”.
Nëse 54 deputetë konservatorë dërgojnë letra ku bëjnë thirrje për zgjedhje të reja për lidership, ato duhet të mbahet automatikisht. Vetëm sot u dërguan diku më pak se 10 letra, duke lëkundur pozicionin e Johnsonit.
Shumë deputetë të pushtetit mendohet se janë në pritje të rezultatit të hetimit të porositur nga Johnson lidhur me pretendimet e ahengut që shkeli rregullat e bllokimit, përpara se të vendosin nëse do të pozicionohen pro zgjedhjeve të lidershipit.