Nga Ylli Pata/ Sali Berisha tentoi që të ringjallë sa më shumë atë çfarë është e mundshme nga braktisja që PD-ja dhe strukturat e saj i kanë bërë prej kohësh në kryebastionin e saj-Shkodrën.

E si për të nxitur, ndezur sa më shumë situatën, ish-kryetari shfryrëzoi një event historik siç ishte 21 vjetori i ngritjes së degës së PD-së, për të galvanizuar mbështetësit që pas 8 janarit duket se po ikin gjithnjë e më shumë.

Dega e Partisë Demokratike të Shkodrës, pra superstruktura e udhëheqja e saj duket ka ndjekur një taktikë të butë për të shmangur përplasjen, por për ta injoruar Sali Berishën.

Kreu i PD-së, një themelues i partisë dhe degës së Shkodrës, Xhevdet Amuli, kishte lënë qytetin për “pushime” për të dhënë një mesazh politik ndaj pasuesve dhe strukturave të tjera.

E në fakt ashtu ndodhi. Sali Berishën në Shkodër, e ka shoqëruar vetëm Lorënc Luka, ish kryetari i Bashkisë së Shkodrës, ndërkohë që ka marrë pjesë edhe incognito, edhe kryebashkiakja në detyrë Voltana Ademi, e cila mori pjesë, madje edhe foli në “Kuvendin” e Air Albania.

Megjithë manovrat për të arritur një galvanizmim më të madh, kur mori pjesë në ngushëllimet për futbollistin e njohur Ramazan RRagami që ndërroi jetë, sërish Berisha nuk ka arritur të sigurojë një vëmendje të rëndësishme tek demokratët.

E duke i nisur nga kjo, ka prodhuar një lajm për të kërcitur disi siç ishte zbulimi i një dishepulli të tij të ri në Shkodër, siç ishte një student gazetarie në “Luigj Gurakuqi” që mbajti një fjalim venerativ, që në fakt u kthye në komik.

Të gjitha këto ishin mizanskena që në fund të fundit, u zgjodhën me kujdes dhe ishin edhe të lezecme. Por lajmi i djeshëm ishte se Sali Berisha nuk kishte me vete asnjë përfaqësues të rëndësishëm të PD-së së Shkodrës, asnjë intelektual të spikatur të qytetit që i ka dhënë PD-së për 30 vjet pushtetin vendor dhe shumicën e deputetëve, apo edhe ndonjë grupim të rëndësishëm interesi të Shkodrës.

Sali Berisha, thjesht ka mbajtur një takim në Pallatin e Sportit, ku përveç se ka sulmuar Perëndimin në qytetin që u përsekutua në regjimin komunist për të mbrojtur aleancën me SHBA, thjesht ka bërë laved ndaj një djali të ri që duket se po bëntë një audicion imitimi…

Nga ana tjetër, lajmi real i Berishës në SHkodër, ishte kërcënimi i hapur i degës së PD-së që të linin mbështetjen ndaj Lulzim Bashës.

“U drejtohem të gjithë atyre demokratëve, që akoma në mënyrën më të pabesueshme dëshmojnë mbështetjen më të vogël për Lulzim Bravën, hiqni dorë prej tij. Hiqni dorë, se ai është turpi i dheut, turpi i historisë. U them deputetëve të Shkodrës, bashkohuni me qytetin tuaj.

Ndahuni nga Lulzim Basha, se atë e pret vrima e miut nga ky revolucion që nuk ka të ndalur. Askush nuk ka të drejtë të luajë me pluralizmin politik në Shqipëri. Ata që mbështesin Bashën për kryetar opozite, ata tallen me përçmim ndaj shqiptarëve. Shqiptarët që mbështesin Bashën, tallen me lirinë, me vlerat e pluralizmit, me pluralizmin politik në Shqipëri”, tha Berisha.