Ish-presidenti Bamir Topi ka deklaruar se të dyja palët në Partinë Demokratike kanë dalë humbëse pas protestës së 8 janarit. Në një intervistë në emisionin “Pikat mbi i”, ai u shpreh se parashikon që ngjarjet në PD të mbyllen në mënyrë dramatike dhe kjo jo për shkak të dhunës, por për shkak të akuzave që hedhin njerëzit që kanë drejtuar atë parti mbi njëri tjetrin.

“Përgjithësisht në vendet demokratike ata që zgjidhen për të drejtuar partitë përfaqësojnë mendimin më të kualifikuar. Vendimarrja e tyre mbetet politike, vizionare që orienton edhe tifozët më të thjeshtë, ndoshta dhe më injorantë të një force politike. Jo domosdoshmërisht duhet të jesh i iluminuar për të qenë anëtarë i një force politike. Secili prej tyre konfirmon tezat politike që ka hedhur kohë më parë.

Për mua është një terren sa dramatikë edhe qesharak. Kohë më parë unë kam propozuar një tezë që mund të quhet dhe disfatiste dhe cinike, por duke qenë për një kohë të gjatë pjesëtar i asaj fryme dhe asaj strukture e kam thënë me shumë sinqeritet kam parë një betejë që do të përfundojë në mënyrë dramatike. Shfaqjet e para dramatike ne i kemi parë gjatë këtyre ditëve, por unë nuk quaj dramacitet shfaqjen e dhunës, por dramacitet është kur njerëzit që e kanë drejtuar atë parti, njëri për 30 vite dejure dhe defakto dhe tjetri për 8-vite, hedhin akuza mbi njëri tjetrin, ndërkohë që kanë qenë arkitekt të gjithçkaje çfarë ka ndodhur. Nuk e shoh thjesht te dhuna, unë si natyrë kam qenë në mënyrë të hapur kundër dhunës.

Për sa i përket prokurorisë unë mendoj se ata e kanë situatën më të thjesht se çdo herë më përpara, se janë brenda një kampi, janë brenda dy njerëzve që nuk kanë dëshmuar sinqeritet me realitetin dhe me institucionet. Prokuroria do të merret me ekzekutuesit e urdhrave dhe jo me politikanët. Njerëzit kur shkojnë në prokurori shkojnë të ndrydhur, këta shkojnë pa asnjë lloj sikleti, dhe gënjejnë pa asnjë lloj sikleti. Janë të dy humbës nuk ka fitues më 8 janar. Ajo histori duhet të ishte ruajtur dhe nuk është ruajtur për histori pragmatiste, jo për godinën, por për pushtetin politik’, tha Topi.