Nga Adriatik Doçi/ Sali Berisha ka vendosur të marrë në mbrojte kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili akuzohet për manipulimin e zgjedhjeve në FSHF, përdorimin e futbollit për interesa të biznesit të tij familjar, mungesë transparence, për mbretërim 20-vjeçar në krye të futbollit me marifete të ndryshme, për klan klientelist, pazare me fiksimin e ndeshjeve, konflikt interesi etj. Gjatë ditëve të fundit, Berisha ka qenë aktiv, ku përmes disa qëndrimeve i ka dalë në mbrojte Armand Dukës, sidomos për tritolit pranë banesës së tij, ngjarje e cila dyshohet se mund të jetë inskenim.

Teksa sot e mbron, Sali Berisha ka artikuluar akuza nga më të rëndat në adresë të Armand Dukës, nga viti 2002 deri në vitin 2016, duke mos kursyer as vëllanë e tij, Agron Duka, ish ministër Bujqësie në qeverinë e Fatos Nanos, sot deputet i zgjedhur në siglën e Partisë Demokratike. Madje, në vitin 2005, Sali Berisha erdhi në pushtet edhe me premtimin se do të çlironte FSHF nga Klani i Zemunit. Berisha e konsideronte Armand Dukën si kreun e Klanit të Zemunit në Shqipëri. Klani i Zemunit (serbisht Zemunska Klana) është një organizatë famëkeqe mafioze, e themeluar në fillimet e viteve ’90 në një lagje në periferi të Beogradit me emrin Zemun, nga e cila e ka marrë edhe emrin organizata. Klani akuzohet edhe për vrasjen e kryeministrit Zoran Gjingjiç.

Berisha akuzonte si pjesë të Klanit të Zemunit edhe Agron Dukën dhe Lefter Kokën, akuza të cilat gjithsesi nuk u vërtetuan. Berisha akuzonte si pjesë të Klanit të Zemunit edhe Agron Dukën dhe Lefter Kokën, akuza të cilat gjithsesi nuk u vërtetuan. Berisha ka akuzuar për pastrim parash dhe trafik droge edhe Agron Dukën, i cili ishte bashkëpronar i pularisë me Armand Dukën.

“Si mund ta shpjegoj unë që trefishohen dhe pesëfishohen tarifat e telefonisë në një kohë kur ky ent është përgatitur për të larë Duka, Zemuni dhe Nano paratë e pista. E dini ju se cilat janë marrëveshjet e telefonisë? Do t’jua sjell unë në Parlament, të shihni ju. Kjo është seanca e turpit, e papërgjegjshmërisë, seanca në të cilën baronët e drogës të kryesuar nga Fatos Nano, përfaqësuesit e klaneve më kriminale të vendit të përfaqësuar nga Fatos Nano, Agron Duka, Arben Malaj, Anastas Angjeli, Bashkim Fino, Spartak Poçi etj…”.

Në 27 shkurt të vitit 2006, Duka u zgjodh për një mandat të dytë në krye të FSHF, në mënyrë të dyshimtë. Në emër të Berishës, Dukës i shpalli luftë ministri i Kulturës së atëhershme, Bujar Leskaj, i cili deklaroi se nuk do të njiheshin zgjedhjet. Nga ajo përplasje mbeti gjatë në kujtesë deklarata e famshme e Bujar Leskajt, i cili paralajmëroi Dukën se: “Do ta ngul aq thellë atë gozhdë, sa të thonë o lele, o mami gozhda”. Gozhda në fakt nuk iu ngul, pasi Duka bëri disa manovra, duke vënë në lëvizje institucionet ndërkombëtare si UEFA dhe FIFA, të cilat kundërshtuan nismën e qeverisë për të rrëzuar beun e futbollit. Të njëjtën taktikë Duka po përdor edhe sot, për të marrë mandatin e gjashtë, në funksion të mbretërimit në krye të FSHF-së.

Në fund të vitit 2007, Shqipëria humbi 6 me 1 Rumaninë. Sali Berisha akuzoi FSHF-në me në krye Dukën si grup mafioz që kishte shitur ndeshjen dhe kishin shkelmuar flamurin. Akuza për shitje të ndeshjes artikuloi edhe trajneri Oto Bariç, i cili dha dorëheqjen dhe u largua.

“Turpi që kanë bërë, aty është flamuri kombëtar, ajo nuk do të mund të kapërcehet, ç’është ai grup mafioz që shkelmon mbi flamurin që bën një amoralitet të madh në mes të Evropës si përfaqësuesi i kombit. Kam pritur një reagim shumë më të madh nga mediat dhe shoqëria civile, ai ishte një poshtërim, fyerje për tifozët e Shqipërisë dhe shqiptarë, të cilët kanë ndjekur këtë futboll më me pasion se çdo gjë tjetër. Kanë skuqur me flamur kombëtar jo vetëm stadiumet e Shqipërisë, por edhe stadiumet e Evropës. Duhet të marrë përgjigjen më të rreptë. Deri tani nuk ka asgjë, duket se e përzunë atë kroatin. Unë nuk jam ekspert për të vlerësuar kapacitetet e tij, por kjo skuadër në drejtimin e tij realizoi lojëra nga më të shkëlqyerat, siç ishte ajo me Holandën që ishte për mua e vetmja “humbje fitore” që kisha parë. Si pa gjë të keq e përzunë, shitën golat, shitën flamurin, shitën çdo gjë. Situata është jashtëzakonisht dramatike. Nuk mundet që një grup mafioz të mëkëmbë përfaqësimin kombëtar”, tha Berisha.

Në maj të vitit 2016, Sali Berisha shigjetoi Dukën, duke e akuzuar në mënyrë të tërthortë për pazare me fiksimin e ndeshjeve në tavolinë. Berisha e konsideroi si një ‘magjistare të basteve dhe rezultateve që na qetëson se ku do fitojmë’ zëdhënësen e Federatës Shqiptare të Futbollit, Jona Dervishi, e besuar e Armand Dukës. Berisha e akuzoi zëdhënësen e Dukës edhe për trafik kokaine. “…me makinën e kreut të grupit të kokainës, së bashku me një ndrikull që punon diku në Federatën Shqiptare të Futbollit, një Jona, Jona, a si quhet. Kjo makinë është gjetur nga prokuroria e shtetit si e përshtatur me vende të fshehta për transport kokainë”./Shqiptarja.com