Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dërguar 17 persona për gjykim në GJKKO, 5 prej të cilëve zyrtarë të Kadastrës së Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Panol At-Nikolla, Sazan Gorishova Eni Sejdinaj, Klevis Kotorri Elton Gavoçi, Admir Burri Gazmend Canaj Gëzim Bazha Neritan Bablusha Shpëtim Bakia, Besnik Hyka Ilir Ahmetaj Ivi Çiço, Fjoralb Demiraj, Bedri Halili, Miguel Caka dhe Ergus Struga, akuzohen për “Korrupsion pasiv i funksionarëve publikë”, “Shpërdorim detyre”, “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve publikë” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “Organizim i lotarive te palejuara”.

Sipas SPAK, gjatë hetimeve të kryera në lidhje me këtë procedim penal, kanë rezultuar të dhëna që shtetasit Besnik Hyka, Ilir Ahmetaj, Gëzim Bazha, Gazmend Canaj, Admir Burri, Neritan Bablusha, Panol At Nikolla, Ivi Cico, Fjoralb Demiraj, Shpëtim Bakia, Bedri Halili, etj., janë përfshirë në veprime të kundërligjshme që konsistojnë kryesisht në premtimin ose dhënien e përftimeve materiale të parregullta për kryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën e nëpunësve publikë, në kërkimin/pranimin e përftimeve materiale që lidhen me kryerjen ose moskryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën e tyre si dhe në ushtrimin e ndikimit të paligjshëm tek persona që ushtrojnë funksione publike, me qëllim kryerjen e veprimeve në mospërmbushje të rregullt të detyrës.

“Nga tërësia e akteve dhe provave te administruara gjatë hetimit, si përgjimet telefonike, të dhënat e nxjerra nga ekzaminimi i aparateve celularë të të pandehurve, praktikat e administruara në ASHK dhe akteve të tjera shkresore, provohet se i pandehuri Admir Burri në bashkëpunim me të pandehurit Gazmend Canaj dhe Neritan Bablusha në disa raste kanë ushtruar ndikim të paligjshëm tek punonjësit shtetëror dhe në disa raste kanë ofruar përfitim monetar për të kryer ose mos kryer veprime në lidhje me aplikime/kërkesa të bëra nga shtetas të ndryshëm, për marrjen e shërbimeve të ndryshme kadastrale”, sqaron SPAK.

Nga hetimi rezulton që veprimtaria e kundërligjshme e të pandehurve Gazmend Canaj, Admir Burri, Neritan Bablusha, Ivi Cico, Fjoralb Demiraj është e shtrirë në kohë dhe ka vijuar në mënyrë të pa ndërprerë, duke u përfshirë në disa episode të kundërligjshme që lidhen kryesisht me ndërmjetësimin e tyre me qytetarë të ndryshëm dhe punonjës të ASHK-së, sikurse është i pandehuri Panol At Nikolla, me detyrë Zëvendës/drejtor i Drejtorisë Vendore të ASHK-së Tirana Rurale 2, për përshpejtimin e procedurave të marrjes së shërbimeve kadastrale dhe pajisjes së tyre me dokumente pronësie, kundrejt ndërveprimit korruptiv.