Nga Milena Selimi/ Një lajm i bukur në këtë fillim viti 2022 për kinematografinë shqiptare. “The Spark” (Shkëndija) filmi i parë indipendent shqiptaro-amerikan që hap dyert e kinemasë në Salem, Massachusetts në datat 11, 12, 13 janar 2022, jo vetëm për artdashësit shqiptarë të filmit, por edhe për audiencën amerikane.
Ndërsa më shkruajnë se biletat e datës 11 janar janë sold out!

Një film nga Erand Sojli & Aldo Toda, që sjell në ekran një temë të guximshme dhe plot kurajo. Një film për heroin, për njeriun idealist, për shoqërinë globale materialiste e larg vlerave, për të mirën dhe të keqen, për shpresën tek drejtësia. Në posterin e “The Spark” shkruhet: “Historia e një heroi të heshtur që sakrifikoi gjithçka për të vënë drejtësi në vendin e tij”. Këtu nis rrëfimi.

“The Spark” ( Shkëndija) tingëllon njësoj si S.P.A.K. (Struktura e posaçme antikorrupsion) e cila u promovua si një shkëndi shprese për drejtësinë shqiptare të nëpërkëmbur dhe të prerë në besë nga të zgjedhurit e popullit, politikanët.

Filmi tregon ç’ka ka ndodhur në Shqipërinë e10 viteve të e fundit, përcjellë me stil të veçantë, sa që i ngjan dokumentarit: Histori babalesh, koncensionesh, pengjesh, që drejtohen nga politikanë të cilët edhe pse nuk i shohim në film, e ndiejmë se ata janë aty gjatë gjithë kohës. Histori paralele të thëna në një gjuhë mjeshtërore nëpërmjet detajeve që trondisin. Të thëna thjesht, falë një skenari të arrirë, që sidoqoftë mbetet një fiction i autorëve.

Një ide e veçantë si të gjitha idetë e Erand Sojlit, i cili bën bashkë aktorët shqiptarë të Shteteve të Bashkuara dhe aktorë amerikanë. Përveç idesë artistike ka meritën e ‘zgjimit’ të aktorëve shqiptarë të diasporës në USA. Me emrat si Astrit Çerma, Jul Nenshati, aktorë që lanë gjurmë në kinematografinë shqiptare para viteve ’90 bashkohen edhe më të rinjtë e pas viteve ’90, Rina Narazani Sojli, aktore e veçantë e teatrit shqiptar, plot 20 role te suksesshme në karrierë, Erjeta Cufaj, Ervis Dhima, etj dhe aktorët e mirënjohur amerikanë Jason Reulet, Paskuale de Gregorio. Kompozitor i filmit është Kostika Çerma, ndërsa janë angazhuar në këtë film edhe aktorët jo profesionistë në role dytësore, qëmtuar me kujdes nga Sojli si : Keti Jani, Adelajda Bena, Holger Ademi, Greta Sojli, etj

“The Spark” ky film dhe kjo ‘shkëndijë’e heroit kryesor të filmit do të shfaqet në kinematë indipendente amerikane, për shqiptaro-amerikanët të cilët uroj ta duartrokasin, jo aq për ngjarjet që shtjellohen në film, por për modelin e heroit që regjisori dhe producenti Erand Solji ka krijuar. Në asnjë nga filmat shqiptarë të këtyre 30 viteve nuk gjejmë një hero që fiton mbi të keqen. Besoj se ky model heroi e ka një shtysë frymëzimi për autorët, ndikuar ndoshta nga mentaliteti heroik amerikan, si dhe mënyra europiane e të përcjellit në publik.

Mesazhi që marrim nga filmi është i jashtëzakonshëm dhe shpresëdhënës: Fatet e të fortëve varen nga njerëz të thjeshtë, por idealistë që nuk tuten përballë parasë.
Do të ftoja të gjithë shqiptarët e Amerikës ta ndjekin dhe duartrokasin këtë film, një përvojë e jashtëzakonshme, e lodhshme, e vështirë, por e mundur për një artist si Erand Sojli, që nuk ndalet edhe përtej kufijve. Uroj që “The Spark” të prekë edhe ekranin e Tiranës, sepse i duhet, sepse na duhet të shtohen rrathët me gravitet në Art dhe Emocion.

The Spark Screening
January 12, 2022 and January 13, 2022
7:00 PM – 9:00 PM

SPARK MOVIE
Cinema Salem 1 E India Square Mall, Salem, MA 01970 (978) 594-0912 https://g.co/kgs/FYyu4L

Linku i biletave:
www.eventbrite.com/e/the-spark-movie-screening-tickets-226725491047