Donald Trump nis sërish ofensivën kundër shefit të Shtëpisë së Bardhë, teksa ekonomia amerikane shfaq shifra të errëta rënieje në vitin e parë të presidencës Biden. Nga Arizona të cilën në zgjedhjet e 3 Nëntorit 2020 e humbi me pak vota diferencë, Trump u bëri thirrje mbështetësve të shumtë, të rimarrin në dorë Shtetet e Bashkuara. Ish-presidenti tha se kryengritja e vërtetë ndodhi pikërisht ditën e zgjedhjeve që nxorrën fitues Bidenin dhe jo më 6 Janar 2021, kur mbështetësit e Trump sulmuan Kongresin.
Ai i quajti të arrestuarit për këtë ngjarje si “të persekutuar politikë”. Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë përsëriti akuzat se demokratët manipuluan rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa bëri thirrje që republikanët të fokusohen tek fitorja e zgjedhjeve të mesit të mandatit më 8 Nëntor, kur zgjidhen të 435 pjesëtarët e dhomës së ulët të Kongresit dhe 1/3 e senatorëve.
Sondazhet tregojnë se mbështetja popullore për politikat e Bidenit po rrokulliset me shpejtësi që në vitin e parë të presidencës së tij dhe aktualisht ndodhet nën 45%. Ndikim për këtë ka edhe rritja e indeksit të çmimeve të konsumit me 7% në 12 muaj, më e larta prej vitit 1982.