Arsimi, Mbrojtja Sociale dhe Shëndetësia përbëjnë komponentët më të mëdhenj të shpenzimeve publike në Shqipëri, që së bashku zënë pothuajse gjysmën (47.3%) të buxhetit gjatë vitit 2020.
Kështu vlerëson UNICEF në raportin e vitit 2020 mbi shpenzimet publike për fëmijët, në të cilin mbrojtja sociale theksohet si komponenti me shpenzimet më të mëdha të qeverisë, duke zënë 28.2 % të buxhetit 2020, e ndjekur nga arsimi (9.9% në 2020) dhe shëndetësia (9.1%) në 2020.
Sipas UNICEF, të tre sektorët – shëndetësia, mbrojtja sociale dhe arsimi konsiderohen si prioritete publike për qeverinë shqiptare. UNICEF konstaton se ndarja e shpenzimeve në secilin prej tre sektorëve është rritur gjatë viteve të fundit.
Konkretisht, shpenzimet për shëndetin u rritën si pjesë e shpenzimeve totale publike nga 9% në 2010 në 9,1% në 2020, ndërsa ato për mbrojtjen sociale nga 28,1 % në 2010 % në 28,2 % në 2020.
Shpenzimet për fëmijët në edukim e arsimim janë rritur dhe në vitin 2020, përafërsisht 900 dollarë u shpenzuan për fëmijë, krahasuar me 750 dollarë në 2018. Shpenzimet publike në sistemin e edukimit u rritën nga 3.2 % e GDP në 2018 në më shumë se 3.6 % e GDP në 2020.
UNICEF vlerëson se kategoritë e fëmijëve vulnerabël përfitojnë tekste falas, bursa, transport, mësues të dedikuar dhe masa të tjera që përbënin 7.1 për qind të projekt-buxhetit në vitin 2019, i cili është në një tendencë në rritje gjatë viteve të fundit dhe viteve të ardhshme.