Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj sqaroi sot se banorët e lagjes “5 Maji”, të cilëve po u shemben banesat në kuadër të projektit të rindërtimit, do të kompensohen me çdo metër katror që kanë pasur. Veliaj sqaroi se edhe banorët banesat e të cilëve kanë qenë të palegalizuara, do të marrin shtëpi aq metër katrorë sa ç’e kishin. Në një intervistë televizive, pas protestës së disa banorëve ndaj aksionit të IKMT-së për prishjen e banesave, theksoi se “95 % e banorëve që banojnë pranë Bregut të Lumit që i prek Njësia 4 dhe 5 tashmë i kanë firmosur kontratat”.

“Madje një pjesë e tyre kanë marrë edhe çelësat e shtëpisë, ditën e fundit të vitit që kaloi. Ligji thotë që secili prej banorëve kompensohet me të njëjtat metra katrorë që ka pasur. Këtu përfshihen edhe ata banorë që kanë ndërtuar pa leje në Breg të Lumit. Pra edhe ata që kanë bërë shkeljen më të madhe urbane, i marrin metrat katrorë njësoj siç do t’i kishin në pronësinë e tyre. Edhe ata që janë të palegalizuar, nëse kanë 100 metër katrorë, do të marrin 100 metër katrorë apartament”, sqaroi Veliaj. Më tej kryebashkiaku tha se përfundimi i kësaj sage do të jetë si përfundimi i Astirit, Bulevardit, Parkut të Liqenit, si përfudnimi i Pazarit të Ri, Sheshit Skënderbej apo Kalasë së Tiranës.

“5 % i fundit që ka mbetur duhet të bëjë si të tjerët. Të firmosë kontratën për të marrë metrat nga pa leje dhe pa urbanizim në të njëjtën shumë metra katrorë, por tani me leje dhe urbanizim. Po kundërshton një pjesë e vogël që ka muaj të tërë që shoqërohet nga politikanë që do t’i braktisin, siç bënë me ata të Astirit apo Bulevardit. I duan mish për top për partitë e tyre që zihen për shula dhe për brava. Politikanë që djegin selinë e tyre, nuk mund t’i zgjidhin hallin atyre personalve që i kanë përdorur si instrument politik gjatë këtyre viteve. Tani ata banorë duhet të zgjedhin ose bravën e partisë, ose bravën e shtëpisë së tyre”, nënvizoi Veliaj. Lagjja “5 Maji” është një zonë e projektuar për rindërtimin e një kompleksi pallatesh, ku do të strehohen të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit.