Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ftoi sot përfaqësuesit e bizneseve në Tiranë, me fokus mbështetjen dhe fuqizimin e të rinjve, që të bëhen pjesë e aktiviteteve të Kryeqytetit Europian të Rinisë. Gjatë një takimi me ta, Veliaj tha se ky është një shans historik që të gjithë të bëhemi bashkë, këtë vit, për të promovuar Tiranën.
“Nëse funksionojmë si ekosistem – u takuam me përfaqësuesit e policisë, linjat ajrore, kompanitë turistike dhe të gjithë ata që ofrojnë shërbime në hoteleri dhe bujtina, me përfaqësuesit e bareve dhe restorantet – kemi një shans historik për qytetin tonë. Këtij ekosistemi do t’i shtohen edhe shkollat, drejtuesit e senateve, rektorët dhe dekanët, për të krijuar një mundësi fantastike për të gjithë. Dje po flisnim me Rita Orën dhe Dua Lipën, për të marrë një datë për koncertet e tyre, ndërsa në 14 mars në Tiranë vjen Maluma dhe shumë shërbime do të funksionojnë në mënyrë digjitale,” u shpreh ndër të tjera Veliaj.
Kryebashkiaku shigjetoi sërish kreun e FSHF-së, teksa tha se e ka drejtuar institucionin si të ishte një bandë.
“Ne nuk mund të kemi ishuj brenda nesh, që janë të pavarur dhe të paprekshëm. Ti mund të jesh i pavarur, secili prej nesh është i pavarur, por jo i paprekshëm. Shoh përfaqësuesit e bankave këtu, por edhe bankat auditohen. Pra, ka një institucion që kryen atë që quhet “check&balance”, nuk janë ishuj të paprekshëm. Jam i sigurt se këtu ka edhe prindër që i çojnë fëmijët e tyre në terrenet sportive, të cilët më thonë: “Lali, na rroftë fusha e re që ke bërë, por unë s’i kam paratë që djali të luajë si profesionist”. Pra, prindërit harxhojnë 20-30 mijë lekë çdo muaj, lekë të mbledhura me sakrificë, dhe në fund një bandë me çirakë ka në dorë të caktojë nëse djali yt vlen, apo s’vlen! Seriozisht? Kjo ndodh në qytetin tim dhe unë të mos e ngre zërin për këtë?” – deklaroi kreu i Bashkisë.
Veliaj tha se është i vendosur t’i shkojë deri në fund kësaj beteje. “Në Federatën Shqiptare të Futbollit djersit dhe mundohet vetëm kombëtarja kuqezi. I gjithë lidershipi i saj vetëm ka shtuar llogaritë bankare, makinat e shtrenjta dhe çarterat. Kurse mundim real, me djersë, ka vetëm ekipi kombëtar. Turma prej 500 vetash punon në një organizatë pa transparencë, të cilët vetë votojnë, vetë votohen. Imagjinoni çfarë do ndodhte nëse Kryeministri do thoshte: Tani që kemi zgjedhjet e Presidentit, po sikur ta shtojmë parlamentin me nja 30 vetë? Pra, të bëjmë vetëm për atë ditë 170 veta dhe të fitojmë! Por kjo s’mund të ndodhë se në Parlament janë 140 deputetë. I dimë edhe emrat e atyre që votojnë dhe ti nuk mund të ndryshosh rregullat e lojës sa herë ke një sfidë para teje,” deklaroi më tej ai.