Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur edhe njëherë Shoqatës së Ndërtuesve në lidhje me vendimin për kufizimin e lëvizjes së betoniereve gjatë ditës brenda Unazës së kryeqytetit. Gjatë një takimi me trupën e Policisë Bashkiake, Veliaj u ka kërkuar atyre të ndërpresin ofensivën në media, pasi nuk do të tërhiqet nga ky vendim, i cili ka nisur të japë efektet e para.
“Unë kam marrë vendime të vështira edhe më përpara. Edhe dhënia e lejeve të ndërtimit është një vendim i vështirë. Për sa kohë kemi treguar mirëkuptim dhe bashkëpunim me industrinë e ndërtimit, ju kërkoj edhe atyre ta ndalojnë këtë ofensivë nëpër media. Unë e di që shumica prej tyre punojnë në ndërtim, por kanë edhe mediat e tyre. E di që shumica prej tyre paguajnë edhe portalet, i gjuajnë kryetarit të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake. Por, po ju them se nuk do të tërhiqem nga ky vendim. Mund të vazhdojnë të çojnë nëpër portale, të vënë gjoba, të bëjnë lajme sikur njerëzit po shqetësohen nga betonieret natën, por këto janë pa sens. Këtë e bën gjithë bota e civilizuar. Ditën fëmijët dhe njerëzit do të shkojnë në punë dhe shkollë, natën kamionët dhe betonieret do të vazhdojnë punën e tyre,” u shpreh Veliaj.
“Trafiku, – tha Veliaj, – nga të gjitha raportimet, matjet me kamera, apo matjet në semafor, sot ka rënë ndjeshëm me çfarë ishte në dhjetor, nëntor apo tetor. Për sa kohë që kjo politikë dhe ky vendim i vështirë dha një rezultat pozitiv, ne do ta mbajmë këtë vendim për hir të shumicës që janë familje të thjeshta, njerëz që duan të shkojnë në punë dhe që duan të shkojnë në shkollë çdo ditë në orën 08:00”.
Kryebashkiaku u ka bërë thirrje edhe gjyqtarëve që të mos bëhen palë me ndërtuesit në këtë çështje. “Dëgjova dje që Shoqata e Ndërtuesve do të shkonte prapë në Gjykatë. Duhet të jetë i mallkuar ai gjyqtar që jep vendime kundër interesit të qytetit të tij. Duhet të jetë një turp dhe kemi parë turpe të tilla. Ne vendosim kangjella aty ku ka pasur aksidente dhe del një gjyqtar jep vendim që të hiqen kangjellat për një lavazh, apo gomisteri pa leje, a thua se larja e makinave dhe gomat janë më të shtrenjta se jeta e njeriut! Këto vendime nuk janë për kangjellat e shtëpisë time. Çdo gjyqtar duhet ta dijë që kur merret një vendim i tillë studiohet nga Policia e Shtetit, nga Policia Rrugore, nga Policia Bashkiake, si një vendburim aksidentesh. Ndaj, thirrja për të gjithë gjyqtarët, teksa studiojnë ankesat e oligarkëve dhe të gjithë atyre që merren me betoniere në ndërtim, duhet të ndajnë mendjen: Janë me popullin, që është shumica, apo me një pakicë të vogël, që po e respektojmë të bëjë biznes?”, tha Veliaj.
“Do i bëja thirrje çdo gjyqtari ta mendojë mirë kur jep një vendim për të qarkulluar një betoniere, apo kamionët, në kundërshtim me masat që ka marrë Bashkia e Tiranës! Ta mendojë mirë kur heq barriera, kur heq kufizimet dhe kangjellat rrugore, që janë aty për të mbrojtur njerëzit nga makinat! Gjyqtarët do të duhet të respektojnë vullnetin e popullit, jo vetëm se jemi në vitin e rinisë, se nuk e bëjmë vetëm për këtë, por se realisht duhet të sillemi si një qytet europian, ku secili respekton hapësirën e vet,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.