Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shpreh ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli. “Iku shumë shpejt! Me trishtim të thellë dëgjova për largimin e hershëm të David Sassoli. Presidenti karizmatik i Parlamentit Europian, një evropian i pasionuar, një italian tipik, një adhurues i vërtetë i Shqipërisë, dhe një mik i dashur!
Trashëgimia e tij bujare do të mbetet! Addio amico mio!”, shkruan Veliaj. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, në shkurt të vitit 2020 Veliaj i dorëzoi Sassolit “Çelësin e Tiranës”, si një mik i hershëm i shqiptarëve dhe mbështetës i aspiratave evropiane të vendit tonë. Politikani ishte sëmurë rëndë që prej më shumë se dy javësh duke anuluar çdo lloj aktiviteti. Sassoli ishte shtruar në një spital në Itali muajin e kaluar për shkak të komplikacioneve serioze me sistemin e tij imun.
“Sassoli ndërroi jetë në orët e para të martën në një spital në Aviano”, shkroi në Twitter zëdhënësi i tij Roberto Cuillo. Në shtator të vitit të kaluar ai u shtrua në një spital në Strasburg ku u trajtua për pneumoni, ndërsa sot, 65-vjeçari humbi betejën me sëmundjen.