Arsene Wenger lavdëron Kylian Mbappé dhe kujton se e kishte parashikuar disi rritjen e tij eksponenciale që në fillim. Siç raporton AS, i cili i referohet një interviste për “Le Parisien”, ish-trajneri i Arsenalit ka folur për të ardhmen e yllit francez, që mund të bëhet legjendë:
“Më kujtohet kur ishte 17 vjeç hde thashë për Mbappe: Ai mund të bëhet Pele i ardhshëm. Pele e ka fituar Kupën e Botës tri herë? Epo, le të fitojë Mbappe të dytën dhe pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ai ka butësi, inteligjencë, klas dhe karizëm, i arriti majat e mëdha shumë shpejt.
A ishte vera e vështirë për Mbappe (nga këndvështrimi i merkatos)? Shumë e vështirë, por ai u bë edhe më i fortë. Kylian duhet të përballet ende me kritika të tjera. E vetmja pyetje që duhej bërë ishte se si do të kishte reaguar nëse karriera e tij do të ishte dëmtuar nga skepticizmi. Dhe unë mendoj se ai reagoi shumë mirë. Pastaj u rrit.
Më pëlqen që tani shënon gola edhe në ndeshje që nuk konsiderohen aq të rëndësishme. Në Kupën e Francës, për shembull. Ai e kupton këtë. Është e nevojshme të vendosë disa kërkesa edhe për veten e tij. Ai po e bën këtë këtë sezon dhe jam i kënaqur me përparimin e tij”.