Në zgjedhjet e pjesshme lokale, Partia Socialiste synon t’i fitojë të gjashta bashkitë. Sekretari Organizativ i PS-së, Arben Pëllumbi i ftuar në Report Tv tha se puna e bërë deri më tani do t’iu sigurojë fitoren më 6 mars, madje do thyejnë edhe Shkodrën, bastionin e demokratëve.
“Nuk na gjeti të papërgatitur, strukturat tona ishin në punë, ne thjesht filluam përgatitjet me ngritjen e shtabeve të punës. Të 6 bashkitë do të tentojmë ti fitojmë. Jemi në punë konkrete, me detyra konkrete, me organizime konkrete”, tha Pëllumbi në Report TV.
Pavarësisht se nuk janë bërë zyrtar emrat e kandidatëve, në ‘Studio Live’ me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri, Pëllumbi tha se nuk do kandidojë asnjë deputet ndërsa ritheksoi edhe njëherë se pjesa më e madhe e Bashkive do të përfaqësohet nga gratë.
“Nuk do ketë asnjë deputet të PS, do tentojmë të kemi sa më shumë përfaqësim të grave në këtë përballje, të kemi sa më shumë përfaqësim dhe t’i japim sa më shumë mbështetje grave socialiste”, u shpreh Pëllumbi.
Deputeti Pëllumbi ironizoi situatën në kampin demokrat, teksa tha se do të bëjnë një fushatë elektorale të qetë dhe nuk kanë si synim të mbushin stadiumet e të tregojnë forcën e tyre. Ai tregoi edhe tri prioritet e Partisë Socialiste me të cilat do të ‘luftojnë’ në këtë ‘betejë’.
“Ne synojmë që të punojmë në të gjitha drejtimet, figura e duhur, programi i duhur, organizimi i duhur i strukturave lokale. Një fushatë e qetë se jemi akoma në kohë pandemike. Jemi në një betejë për 6 bashki lokale për 13 muaj. Nuk duam të mbushim stadiume, as të tregojmë forcë”, vijoi ai.
Duke u ndalur në anketën e Këshillimit Kombëtar, në pyetjen ‘Nëse duhet të legalizohet kanabisi për qëllime mjekësore’, Pëllumbi thotë se këtë e kanë në dorë qytetarët, por sipas tij kjo është diçka e nevojshme pasi kjo praktikë përdoret në të gjitha vendet perëndimore.
“Aty janë disa pika, është edhe kanabisi, por nuk është gjëja më e rëndësishme, a duhet që ne të lejojmë që të ardhurat e emigrantëve të futen brenda vendit përmes bankave. Ky është një element i rëndësishëm. Në parim përsakohë edhe në vendet më të rëndësishme perëndimore kjo gjë është lejuar, do të thotë që është i rëndësishme si lëvizje, a i kemi ne kapacitete për ta bërë këtë gjë që të mos na dalë nga kontrolli. Mendoni se qeveria është e aftë ta bëjë brenda kuadrit mjekësor. Është për qëllime mjekësore e kontrolluar nga shteti”, u shpreh sekretari organizativ i PS-së.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri, Pëllumbi tha se do perferonin që ai të vendosej nga radhët e Partisë Socialiste, teksa theksoi se PS nuk e njeh më politikisht Metën pasi është shkarkuar nga parlamenti.
“PS ka qenë e qartë prej kohësh në raport me Presidentin e Republikës, ai ka bërë shkelje të Kushtetutës, parlamenti e ka shkarkuar ne politikisht nuk e njohim. Nëpërmjet GJK dhe përfundimit të mandatit, për disa muaj ai do ndryshohet. Kjo është arsyeja pse Meta ka filluar të artikulojë prezencën e tij në opozitë. Ne në fund të prillit përgatitemi për procedurat, sepse mbaron mandati. Do na pëlqente shumë që presidenti të ishte nga PS, se vetëm njëherë ka qenë, se ka qenë gjithmonë figurë e PD, si në opozitë ose pushtet”, tha Pëllumbi në Report Tv.
Referuar raportit të “Transparency International” për korrupsionin se Shqipëria ka zbritur me një pikë në krahasim me një vit më parë, Pëllumbi tha se PS po punon për të luftuar korrupsionin, sipas tij ka ndryshim të dukshëm krahasuar me vite më parë.
“Kur vjen fjala për ca shkruhet në letër ne jetojmë këtu, ne dimë si kemi qenë dhe ku jemi, për të marrë një certifikatë duhet të jepje ca lekë, sot e ke online. Kjo është një luftë. Ky lloj sistemi e ka pjesë shoqëruese, puna është si e lufton qeveria por edhe sa e përgatitur është shoqëria për ta luftuar”, theksoi ai.