Në një konferencë për shtyp këtë të premte, ndër të tjera, presidenti Ilir Meta foli edhe për zgjedhjet lokale të vitit 2019 dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Për Metën, Kushtetuesja nuk mori asnjë përgjegjësi, duke mos dhënë një përgjigje përfundimtare. “Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kur prisnim që gjykata kushtetuese ti rikthente popullit mundësinë për të shprehur vullnetin e tij, gjykata do të duhej të kishte një vendim përfundimtar mbi zgjedhjet lokale, ndërsa kjo gjykatë nuk mori asnjë përgjegjësi. Vendosi të rrëzojë kërkesën e shoqatës së bashkive, duke shpallur veten jo kompetente për shqyrtimin e këtyre rasteve, duke e lënë këtë çështje pa një zgjidhje përfundimtare”.
Më tej, Meta u shpreh se disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ka të dhëna se kanë kryer disa shkelje të rënda profesionale dhe etike që cenojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. “Shkelje me mënyrën që konsistojnë me mënyrën e caktimit të relatorit të çështjes. Nuk rezulton të jetë hedhur proceduralisht shorti për caktimin e relatorit”, tha Meta.