Nga Ardit Rada

Me shpalljen e tij non-grata, Sali Berisha iu ndërsye fillimisht SHBA-ve për të kulmuar me ndarjen përfundimtare me Lulzim Bashën. Që prej nëntorit, Berisha e ka harruar gjyqin ndaj Anthony Blinken në Paris duke mos sjellë më për publikun lajme të reja, siç e shpalli fitore pse protokolli ia kishte pranuar kërkesën pak kohë më parë. Në të vërtetë, është vetë Berisha ai që po kërkon të harrohet historia e non-gratës dhe po kërkon ta zhvlerësojë qëndrimin e amerikanëve ndaj tij.

E teksa SHBA-të prisnin që me vendimin e tyre kjo kafshë politike ‘të ngordhte’, me gjasë janë zhgënjyer që ai i gjeti dhe i mblodhi edhe një herë borxhlinjtë e tij të vjetër në emër të një lëvizje politike. Të zhgënjyer duken edhe me Lulzim Bashën, të cilit jo vetëm ia dubluan partinë me kuvende e me referendume, por animi i bazës është i dukshëm në zgjedhjet e pjesshme për 6 bashkitë.

Kjo përkrahje e dukshme ndaj kandidatëve të Sali Berishës e ka mbyllur Lulzim Bashën brenda Tiranës ku zhvillon takime nëpër njësitë e kryeqytetit pa sens. Pikërisht atje ku nuk ka zgjedhje, atje gjen kreun e PD-së këtë shkurt që me mikrofon shfaqet krejt papritur nga mesi i sallës dhe ligjëron për gjithçka, përveç 6 bashkive.

Të ndodhur përpara kësaj situate, amerikanët duket se po provojnë të luajnë letrat e fundit para 6 marsit. Ambasadorja Yuri Kim nuk përtoi që të ndërhyjë hapur dy javë para zgjedhjeve duke iu kujtuar demokratëve shpalljen non-grata të Sali Berishës. “Çfarë po u premtoni votuesve, kur sponsori juaj është caktuar non grata nga SHBA për korrupsion?” – pyeti diplomatja amerikane në vendin tonë, duke u përpjekur të vejë në sedër kandidatët e Sali Berishës.

Kjo ndërhyrje e papritur me shumë mundësi nuk do të jetë e fundit në këto zgjedhje. Por këtë herë ështe e qartë se amerikanët nuk po ndërhyjnë për të ndihmuar Lulzim Bashën. Sepse nuk kanë për çfarë ta ndihmojnë dikë që s’është aktiv në këtë fushatë dhe që mund ta braktisë fare 6 Marsin në mes të ‘lojës’. Thirrja e SHBA s’është as ndonjë ndërhyrje naive në zgjedhjet e lira të një populli, që më pas dikton të korrigjohet deklarata.

6 marsi më shumë sesa zgjedhje për bashkitë e mbetura pa kryetarë duket se do të jetë një test i amerikanëve për demokratët e bazës. Nëse votojnë në masë kandidatët e ‘Shtëpisë së Lirisë’, e gjithë Partia Demokratike i ka larë duart me SHBA-të. Në kushtet kur Berisha e rrit mbështetjen e tij duke frymëzuar anti-amerikanizmin në popull, nuk dihet se ç’mund të bëjë tjetër Uashingtoni. Veç diçka është e sigurtë: Amerikanët nuk të falin kollaj!