Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në një lidhje me emisionin “Publikisht” në RTSH me gazetaren Blerta Tafani foli për përgatitjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashkitë pa kryetar. Ai u shpreh se aktualisht janë në fazën përmbyllëse të përgatitjeve.
Pyetur nga gazetarja Blerta Tafani nëse do të shtyhet sërish afati i vlefshmërisë i dokumenteve të identifikimit për ata që u ka skaduar, Celibashi tha se kjo nuk është kompetencë e KQZ por megjithatë shtoi se kjo nuk është ngritur si problematikë nga asnjë subjekt politik.
Në një opinion personal, Celibashi u shpreh se kjo praktikë nuk ndikon pozitivisht në procesin e rinovimit të dokumenteve të identifikimit. “Jemi në fazën përmbyllëse të përgatitjeve për zgjedhjet e 6 Marsit. Fillon fushata zgjedhore dhe ngelet të vazhdojmë me monitorimet e fushatës zgjedhore dhe përgatitjet e fundit.
Kodi zgjedhor nuk të lejon të votosh nëse nuk ke një mjet identifikimi të vlefshëm. Ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme. Çështja e shtyrjes së vlefshmërië së mjeteve të identifikimit nuk është kompetencë e KQZ. Kërkesa mund të bëjë çdo i interesuar në KQZ. Mendoj ne këtë praktikën e shtyrjes së vlefshmërisë e kemi bërë thuajse në çdo proces zgjedhor dhe në vlerësimin tim nuk është gjë e mirë që sa herë që ka proces zgjedhor kartat të shtyhen në mënyrë mekanike”, u shpreh Celibashi.
Ai shtoi se madhësia e shkrimit në fletën e votimit për kandidatët është më e madhe se ajo për partitë politike dhe në këtë mënyrë nuk krijon konfuzion te votuesit.
“Madhësia e shkrimit për kandidatët është më e madhe se madhësia e shkrimit për partitë politike në fletë votimi dhe nuk besoj se do krijojë konfuzion sepse votimi është për kandidatët. Ne nuk përfshimë në përbërje të koalicionit komisionin për Rithemelimin, por i kemi qëndruar strikt ligjit dhe kemi bërë regjistrimin e koalicionit të përbërë nga LSI dhe PDK.
Votimi elektronik është një proces i sigurtë. Kemi eksperienca që tregojnë se ky sistem që kemi përdorur ofron të gjitha garancitë për sigurinë dhe fshehtësinë e votës. Ka mjaft problematika në zgjedhjet tona por jo të asaj natyre që mund të vënë në diskutim legjitimitetin e qeverisë të dalë nga këto zgjedhje”, u shpreh ai.