Biznesmeni rus, Roman Abramovich, u kërkua nga Ukraina për të ndihmuar në bisedime dhe udhëtoi në Bjellorusi për të marrë pjesë në diskutime. Kjo për shkak se ai u cilësua si ‘njeri i paqes’, pasi dha dorëheqjen si President i klubit të Chelse në Angli për të mos e dëmtuar atë, pasi u përmend si oligark i afërt i Vladimir Putin. Ai mori këtë veprim për të parandaluar sanksionet ekonomike të vendosura ndaj oligarkëve të afërt me presidentin Vladimir Putin që mund të përfshinin në një farë mënyre edhe ekipin.
“Po e bëj për hir të ‘Bluve’. Që kur kam qenë në krye të klubit, i kam mbrojtur gjithmonë interesat e tij. Kjo është arsyeja pse unë do të largohem nga pozicioni im aktual, duke ia besuar detyrat kryesore menaxheriale drejtorëve të Fondacionit Chelsea”, tha ai pasi dha dorëheqjen.
Ndërkohë, sipas “The Jerusalem Post”, ai është në Bjellorusi, i pranishëm në bisedimet mes rusëve dhe ukrainasve me kërkesë të Ukrainës, për të vepruar si ndërmjetës. Delegacione nga Rusia dhe Ukraina kanë mbërritur në qytetin kufitar të Bjellorusisë, Gomel dhe kanë filluar bisedimet për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë. Abramovich ka lidhje të ngushta me komunitetet hebraike në Ukrainë dhe Rusi. Ambasadori i Ukrainës në Izrael, Yevgen Kornichuk, nuk komentoi në mënyrë specifike përfshirjen e Abramovich në bisedime, por tha se ai vlerëson “këdo që mund të ndihmojë, nëse ata kanë ndikim të mjaftueshëm”.