Akademia e Çiklizmit, në zonën jugore pranë pedonales së Parkut të Liqenit, do të jetë pika më e re rekreative në Tiranë. Ajo është konceptuar si një park shumëfunksional, me pistë biçikletash dhe module lodrash të mëdha, si Kulla e Sahatit dhe Ura e Tabakëve, ndërsa një tjetër hapësirë që shton vlerën e parkut është edhe labirinthi i krijuar me bimësi.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet për rehabilitimin e parkut më të madh me fokus te fëmijët dhe të rinjtë, në 102-vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet. Ai tha se më në fund edhe kjo pjesë e parkut, e cila deri dje ishte e zaptuar nga ndërtimet informale, po i kthehet publikut, jo vetëm si hapësirë, por si park i mirëfilltë edukues dhe zbavitës.

“Në 102 vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet po përgatisim një surprizë fantastike për fëmijët e qytetit. Tirana lindi si Kryeqytet nga rastësia, – asokohe qeveria kishte nevojë për një stacion të përkohshëm, i cili më pas u kthye në një stacion të përhershëm, – por, ne sot nuk jemi produkte të rastësisë. Jemi produkte të punës, të bashkimit, të dashurisë, të këmbënguljes me pasion, që t’i shpiem gjërat përpara. Edhe ky park, në pjesën jugore të Liqenit të Tiranës, është produkt i këmbënguljes së shumicës që fiton mbi një pakicë që zapton. Shumica meriton të ketë hapësira publike përtej atij të fortit të tranzicionit që zaptonte buzë liqenit”, u shpreh Veliaj.

Duke sjellë në vëmendje situatën e krijuar në zonën e “5 Majit”, që ashtu si në “Astir” po pengon projekti e madh të rindërtimit kombëtar, Veliaj dha mesazhin se vitet e tranzicionit kanë mbaruar.

“Me çfarë kemi bërë këtu, në bregun e Liqenit apo te Liqeni i Thatë, kemi dhënë edhe një mesazh të qartë për historinë te “Astiri” dhe “5 Maji”: për njerëzit që ndërtojnë në liqen, vitet e tranzicionit kanë mbaruar. Progresin nuk e ndalon dot askush! Për sa kohë i trajton njerëzit me respekt, duke i kompensuar, qoftë për metrat katrorë, qoftë me vlerën që ka ajo ngrehinë, progresi nuk do të ndalet. Edhe këtu tek Liqeni kemi dhënë shembullin ideal se çfarë do të thotë të lirosh gjysmën e Parkut për t’ia kthyer qytetit dhe fëmijëve,” nënvizoi Veliaj.

Ai vuri në dukje faktin se në Parkun e Liqenit po ndërtohen kënde të shumëllojshme, që iu shërbejnë fëmijëve të disa njësive në kryeqytet.

“Sot Parku i Liqenit të Tiranës iu shërben disa njësive. Këndi i parë i lodrave, për të cilin bëmë atë sherrin e madh, i shërben kryesisht Njësisë 5. Këndi “Tika”, i shërben kryesisht zonës së Saukut dhe Njësisë 2. Ndërkohë, Kopshti Zoologjik, apo edhe e gjithë hapësira që po krijohet këtu, kryesisht i shërben zonës të Liqenit të Thatë dhe zonës së Kopshtit Botanik. Praktikisht, në çdo cep të tij Liqeni po i shërben një komuniteti me të cilin rrethohet. Mezi pres që në pranverë, teksa ngrohet koha, fëmijët të kenë një hapësirë ku të mësojnë biçikletën, sigurisht do të mësojnë edhe pak histori nga Tirana,” u shpreh Veliaj.

Akademia është konceptuar si një park shumëfunksional, me pistën e biçikletave e shtruar me asfalt të kuq, që e përshkon rreth e përqark një rrethrrotullim dhe rruga njëkalimshme. Përgjatë gjithë rrugës do të jenë të vendosura tabela sinjalistike, duke u mundësuar fëmijëve që të njihen me sinjalistikën rrugore.

Akademia e Çiklizmit në Parkun e Madh të Liqenit, një nga projektet më të rëndësishëm për vitin 2022, është konceptuar jo vetëm në shërbim të përmirësimit dhe rritjes së mundësive rekreative në park, në përputhje me nevojat e komunitetit për më shumë mundësi për aktivitete sportive, edukative, shoqërore, argëtuese, aktive dhe të shëndetshme, por edhe për të evokuar Tiranën dhe emblemat e kryeqytetit. Projekti plotëson nevojat e të gjithë grupmoshave të komunitetit, duke përfshirë pistën e biçikletave, modulet e lodrave për fëmijë, rekreacion pasiv për të rritur.