Në vetëm 20 ditë, komisioni parlamentar që hetoi Ilir Metën përpiloi një raport me 96 faqe, ku listoheshin shkeljet e pretenduara të 17 neneve të Kushtetutës nga Presidenti i Republikës.

Pretenca ndaj Ilir Metës përmbante nëntë akuza të mjaftueshme sipas Kuvendit për shkarkim që përfshinin jo vetëm shkeljen e betimit të presidentit dhe mbajtjen anë në fushatën elektorale, por edhe cenimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë.

“Presidenti bëri fushatë hapur kundër partisë në pushtet, roli i tij nuk perceptohet në popull si unifikues. Sjellja e presidenti duhet të jetë në unitet dhe ekuilibrues në jetën politikë të vendit dhe kjo jo vetëm në respektimin e Kushtetutës, por dhe të perceptohet nga populli si i tillë”, deklaroi deputeti Alket Hyseni.

Qëndrimet e socialistëve në raportin e hetimit parlamentar, Ilir Meta i përmblodhi në dy fjalë, agjitacion e propagandë. Akuzat tashmë po administrohen nga gjyqtarët të cilët do të thonë fjalën e fundit, nëse kanë qenë të mjaftueshme për të provuar shkeljen e rëndë kushtetuese, apo Kuvendi i mandateve të djegura ndërmori aventurën e fundit politike përpara shpërndarjes së tij.