Mero Baze

22 vjet më parë Kosova ishte Ukraina e Evropës. Slobodan Miloshevici I cili për dhjet vite resht kishte ngritur karrierën dhe pushtetin e tij bazuar tek aneksimi I Kosovës dhe zhdukja e identitetit shqiptar të saj, u përball me rezistencën e një populli dhe në fund dhe me fuqinë e NATO të cilat nuk I hoqën nga duart vetëm Kosovën por I hoqën dhe pushtetin dhe lirinë e tij personale duke vdekur në qeli.

Pas atij leksioni të shndritshëm të perëndimit, kur NATO dhe gjithë perëndimi u bashkuan për të bombarduar një fuqi ushtarake që drejtohej nga një I çmendur në emër të lirive njerëzore, u vendos një standard I cili e bëri botën më të sigurt. Presidenti Bill Klinton dhe kryeministri toni Blair, bashkuan botën perëndimore rreth këtij standarti.

Sot Ukraina po përballet me një Miloshevic të ri, I cili fiks për të njëjtat arsye, fiks për pushtetin e tij dhe delirin e një zaptuesi ka sulmuar sot Ukrainën duke zhytur një vend të pavarur dhe të lirë në fatkeqësi njerëzore financiare dhe në tmerret e luftës.

Bota perëndimore sot nuk duhet të bëj asgjë më shumë se sa atë që bëri në Kosovë. As Kosova nuk ishte vend I NATO, madje ashtu si e kishte katandisur Miloshevici ishte thjesht teritor. As Shqipëria fqinje dhe toka amtare e saj nuk ishte vend anëtarë I NATO. Por parimet dhe principet e perëndimit nuk duhet të kenë kritere gjeografike. Ata duhet ët shtrihen në çdo vend që rrezikohet liria dhe kundër çdo kujt që rrezikon lirinë.

Ndaj Vladimir Putinit duhet te nis qysh sot procedura për kriminel lufte, Gjykata Ndërkombëtare e krimeve të Luftës duhet të nis punën për dokumentimin e krimeve të tij, dhe NATO duhet të mbroj parimet e saj në një vend që aspiron NATO dhe është I gatshëm të përqafojë standardet e një vendi perëndimor.

Kjo është lufta e Vladimir Putinit dhe ai duhet ët paguaj për këtë edhe personalisht. Është e vetmja kambanë që I zgjon nga deliri diktatorët. Miloshevici u dorëzua javën e parë të Qershorit 1999, pasi javën e fundit të Majit Gjykata e Hagës nisi procesin ndaj tij duke e shpallur kriminel lufte.

Nga ana tjetër shqiptarët në Ballkan duhet ta shikojnë këtë si një leksion të hidhur për gjithë ata politikan që kanë kthyer në betejë të jetës së tyre betejën me SHBA dhe Perëndimin në përgjithësi. Beteja kundër vlerave perëndimore, dhe krijimi I një fronti antiamerikan në Shqipëri dhe më shenja të fshehta dhe në Kosovë, është aleanca reale e Vladimir Putinit mes nesh. Ata që nga foltoret dërdëllisin për sovranitetin e tyre dhe partive të tyre kundër SHBA, janë sot aleatët natyral të Putinit. Armiku i tyre i përbashkët është perëndimi dhe SHBA.

I kuptoj këtu nostalgjikët e Bashkimit Sovjetik, ata që janë rritur me idenë se Traktati i Varshvës ishte më I fort se NATO, apo ata që kanë qejf krekosjen e diktatorëve “që nuk pyesin për SHBA”. Nuk kam gjë me nostalgjitë e tyre por me të ardhmen e shqiptarëve. Është koha të heshtin të mbyllen në dhomat e gjumit e të qajnë për Stalinin, por jo në publik. Ky është rasti kur të gjithë e kuptojmë se nëse nuk do kishim ombrellën e NATO dhe aleancën me SHBA serbët do na pushtonin “me çifte gjahu” sic krekosej Miloshevici në vitet 90.

Është koha të kuptojmë se çdo politikan I Kosovës që bën si “sovranist” para SHBA dhe I jep mend Uashingtonit si drejtohet shteti, të kuptoj se siguria e tyre buron nga Bonstilli dhe jo nga ndonjë bandill marksist që mendon se ka zëvendësuar Lenin në Kosovë.

Por mbi të gjitha kjo është koha që serbët të kuptojnë se historia po përsëritet jo për lavdinë e tyre por për turpin e tyre. Hezitimet e politikes zyrtare serbe për të dënuar agresionin, dhe ëndrrat e tyre në sirtar për Kosovën, shërbejnë për të diskretituar ata dhe jo për ti shpëtuar.

Sa herë mendojnë që Putini është I fort, sa herë mendojnë se Rusia nuk ndalet, duhet të kujtojnë Miloshevicin dhe fundin e tij si qen në qeli, për të kthjelluar se është mirë të dalin sa me shpejt dhe sa më qart kundër Miloshevicit të radhës.

Sot Ukraiana është Kosova e re e Evropës, por ende pa Evropën. Në këtë aspekt kjo nuk është një luftë e re, por një luftë e vjetër që bota e ka parë dhjetra herë. Nëse e lëmë që ajo të triumfojë nuk do të jetë një luftë e re, por një botë e re, që do vendos në mëdyshje gjithë botën qe jetojmë. Jo vetëm Ukrainën!