Nga Shkodra, ambasadori italian në vendin tonë Fabrizio Bucci tha se është besimplotë se këtë vit do të hapen negociatat e Shqipërisë me BE-në.
Bucci theksoi se Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme, por ndër to për procesin e integrimit është reforma në drejtësi.
Diplomati italian vuri edhe një herë theksin tek marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë, ku rikujtoi edhe një herë se ato kanë qenë avokati më i ngushtë i Shqipërisë në marrëdhënien me BE-në.
‘Po ndihmojmë Shqipërinë në Reformën në Drejtësi. Jemi të pranishëm në çdo sektor në jetën shqiptare. Këtë raport të veçantë e dërgojmë edhe në Bashkimin Europian. Italia çdo herë ka mbështetur Shqipërinë për tu anëtarësuar në BE, duke filluar nga viti 2000. Italia, gjithmonë, ka qenë miku dhe avokati më i ngushtë i Shqipërisë në marrëdhënien me BE. Italia ka ushtruar presion që Shqipëria të avancojë për integrimin në BE. Kemi një shprehje “na ndihmoni, të ju ndihmojmë” dhe mënyra më e mirë është që Shqipëria të ecë përpara me reformat. Reformat në Shqipëri janë të shumta, por reforma në drejtësi është më e rëndësishmja për integrimin. BE bën kujdes të veçantë për këtë. Reforma në drejtësi i jep siguri të së drejtës për sipërmarrjet që duan të veprojnë në Shqipëri.
Vendimi i Këshillit të Europës është shoqëruar me disa kritere që duhen përmbushur nga Shqipëria dhe disa janë kryer. Jam besimplotë që brenda këtij viti do të hapen negociatat. Negociatat do të hapen kur te thirret konferenca ndërqeveritare mes qeverisë shqiptare dhe BE. Negociatat do të zhvillohen mes ekspertësh shqiptarë dhe të BrukselitNuk flasim më nëse Shqipëria do të hyjë apo jo në BE, por kur do të hyjë. Hapja e negociatave nuk është një fund, por një fillim. Tani fillon ‘ndeshja’ e vërtetë. Shpresojmë që këtë vit do të hapen negociatat dhe të jetë një proçes i shpejtë, edhe pse zgjat disa vite.’- u shpreh Bucci.