Nga Ylli Pata

Në Shqipëri, gjithmonë realiteti virtual dhe zhurma mediatike bën shpesh që gjërat të mos shikohen ftohtë dhe me racionalitetin e fakteve konkrete.

Shkodra për shembull, e cila është një nga bashkitë që do të votojë më 6 mars për kreun e ri të saj, është konsideruar si një bastion dërmues i Partisë Demokratike.

Në zgjedhjet e fundit Parlamentare, Partia Demokratike, në territorin e bashkisë së Shkodrës, si parti e parë ka marrë 25 mijë e 559 vota. Partia Socialiste ka marrë 20 mijë e 195 vota. Diferenca midis dy partive të mëdha është 5 mijë vota. PSD e Tom Doshit ka marrë në nivel bashkie 7.930 vota, ndërkohë LSI-ja ka marrë 8900 vota.

Këto vota që janë dhënë në zgjedhje parlamentare, nuk përkthehen njësoj në një garë lokale për kryetar bashkie, ku gjërat marrin një formë dhe luhet një lojë tjetër.

Megjithatë për të parë në vija të trasha: PS, ka së bashku me PSD-në rreth 28 mijë vota. Ndërkohë pikëpyetja është se sa do të jetë përçarja e PD-së, si pasojë e kandidatit të përbashkët të Metës dhe Berishës.

Bardh Spahia, kandidati zyrtar për kryetar bashkie i Berishë dhe Metës, në zgjedhjet e 25 prillit ishte i shtati në listë, pra jashtë kufijve për deputet, ndaj i është dashur të kërkojë më shumë vota preferenciale. Ku mori jo më shumë se 1100 vota.

Një çarje e fortë ndërmjet PD-së dhe Berishës mund të ulë diferencën që ka me PS-në dhe të çojë ndoshta për herë të parë në një fitore të socialistëve në qytetin verior pas 30 vjetësh.

Kandidatja e PS-së, Majlinda Angoni, nuk është një socialiste klasike, madje bashkëshorti i saj ka qenë drejtor i Teatrit “Migjeni” gjatë drejtimit të bashkisë nga Lorenc Luka, sot eksponent i Foltores. Gjasa këto se mund të tërheqë vota edhe djathtas.

Vetëm duke ju referuar rezultatit të PS e PSD bëhen 28 mijë vota, e sipas gjasave, një pjesë të votave të LSI-së do të kalojnë drejt PS-së, pasi ata janë vota klasike të majta, të cilat i ka marrë prej vitesh sidomos në qytet, deputeti i LSI-së, Agron Çela.

Një pjesë, madje e konsiderueshme votuesish do të anojnë në fund, duke parë edhe konjukturat e bilancit të forcës mes palëve, për të votuar kandidatin me shumë mundësi reale për tu bërë kryebashkiak. Kështu ndodh gjithmonë, e këto votues quhen pjesa “gri”.

Pra parë nga larg, duket se janë mundësitë që nëse do të ketë një fushatë mobilizuese nga PS-ja në Shkodër, që të përfitojë nga përçarja e opozitës e të arrijë një fitore të mundshme.

PS, në Shkodër, rezultatin më pozitiv e ka në zgjedhjet vendore të 2015-s, ku Keti Bazhdari mori 28 mijë vota, pra që ka arritur rekordin historik. Por diferenca me Voltana Ademin ishte mjaft e lartë, përkatësisht 10 mijë vota.

Nëse do të kemi shifrat e mobilizimit të votuesve të vitit 2015 në Shkodër, depozita e votave të opozitës do të ishte shumë e madhe, pra 36 mijë zgjedhës së bashku me LSI-në.

Tani për të parë ndarjen e votave ndërmjet PD-së së Bashës dhe koalicionit Berisha-Meta, si indikacion kemi vetëm fakti se Foltorja në Shkodër deri tani nuk ka gjetur impakt tek strukturat e degës së PD-së së Shkodrës.

Edhe pse kemi shifrat e dhëna nga votimet e “referendumit” për shkarkimin e Bashës dhe “primareve” për të zgjedhur Bardh Spahinë, që e dinin të gjithë se do të dalë, duhet pritur vetëm zgjedhjet që të shikohet qartë sa vota ka Sali Berisha. Kandidati i PD-së, Xhemal Bushati, është një garues me potencial të fortë dhe me lidhje më të mëdha në territor sesa Bardh Spahia.

Pinjoll i një prej familjeve të njohura e të mëdha në qytet, me një rrjet familjar e fisnor të gjerë, Bushati është një biznesmen, mbështetës e aktivist i hershëm i PD-së, por që pak ka përfituar prej pushtetit ekzekutiv. Në 2015-2019 ka qenë kryetar i këshillit Bashkiak të Shkodrës.

Në letër, koalicioni Meta-Berisha i e nis betejën me rreth 9 mijë vota në “xhep”, që janë vota të LSI-së, plus pjesën që mund t’i marrë në PD-në e Shkodrës. Siç ka deklaruar kreu i PD-së së Shkodrës, Xhevdet Amuli, Voltana Ademi e Bardh Spahia kanë 3 vjet që kanë krijuar “struktura paralele” për këtë ditë që erdhi sot. Pra për partinë Berisha-Meta.

Nëse i referohemi shifrave të 2015, ku diferenca e votave PD+LSI ndaj PS-së është 18 mijë vota, sado vota të marrë Bardh Spahia, sërish Xhemal Bushati i PD-së fiton lehtësisht.

E nëse i referohemi rezultatit të 25 prillit në territorin e bashkisë Shkodër, situate është ndryshe dhe PS mund të përfitojë lehtësisht për të marrë bashkinë, si pasojë e çarjes së votave të opozitës. Diferenca është vetëm 5 mijë vota, e mundësia për të përfituar është e madhe.

Megjithatë, ka një fakt që duhet vërtetuar në 6 mars; në zgjedhjet e 25 prillit patëm vërtetimin se ka një mungesë kimie ndërmjet bazës së PD-së dhe LSI-së, çka nuk ishte fenomen i freskët, por që ka qenë historikisht prezente. Edhe pse mjaft radikalë të PD-së dilnin në foto, në darka e dreka me Metën me dy gishta, në fund diferencën nuk e bëjnë individët e fortë, por zgjedhësit, të cilët kanë një tjetër protokoll sjelljeje në zgjedhje.