Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka lëshuar akuza në drejtim të opozitës, kryetarit Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas Ballës, Basha dhe Berisha janë bashkë dhe mbrojnë njëri-tjetrin. Ai tha se së shpejti do u bashkohet edhe Ilir Meta në koalicionin, të cilin e ka quajtur si “Shtëpia e Hajnisë”. “Me Lul, me Sali janë bashkë, mos kujtoni se janë ndarë. Janë bashkë, i pash në Parlament.
Bashkë janë edhe me Ilirin që do u bashkohet më datë 24 korrik te “Shtëpia e Lirisë”, ajo por është “Shtëpia e Hajnisë”. Edhe Nard Ndoka i iku Bashës, edhe atë s’e mbajti dot! Ne nuk kemi punë fare me këta”, tha Balla.
Para të pranishmëve, ai foli lidhur me implementimin e reformave ku kërkoi më shumë mbështetje. Balla ndër të tjera kujtoi edhe sfidat e kryeministrit Edi Rama ku ftoi qytetarët t’i jeni mirënjohës për sigurimin e fondeve pas pasojave sizmike si dhe menaxhimin e situatës Covid-19.
Balla në fjalën e tij ka akuzuar ish-kryeministrin Berisha se gjatë qeverisjes së tij i la rrugët pambaruar në Lushnje. “Për ti kujtuar shqiptarëve për rrugët e lëna rrugëve hidhni një sy mbikalimeve të lëna në mes tek “Pushimi i Shoferit”. Vetëm dy këmbë, si mund të hipë makina nga një krah në tjetrin vetëm Luli dhe Saliu mund ti japin përgjigje.
Prioriteti themelor i këtij viti është Përroi i Lushnjës, thonë se këta e kanë premtuar ka 30 vjet, 2022 do jetë viti që kjo merr fund dhe shërohet plotësisht e që do i japë Lushnjes një mundësi të re komunikimi sepse do shoqërohet me rrugë anësore jo vetëm pastrimi.
Të gjitha moshat të përdorin atë park që do lindë, për gjithë orët e ditës”, tha ai.