Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa zhvilluan një bashkëbisedim me banorë të lagjes “Skënder Libohova”.

Në fjalën e tij Balla vuri theksin te puna e bërë nga Eriselda përgjatë këtyre 30 javëve që ka qenë në krye të kësaj bashkie dhe kërkoi votëbesimin për zgjedhjet e 6 marsit. Balla gjithashtu gjatë bashkëbisedimit tha se duke mbajtur fjalët mbi punët që do kryhen në Lushnjë për 365 ditët e ardhshme do kenë mundësinë të kërkojnë një mandat të dytë.

“Përkrahja për Eriseldën vjen pasi ajo ka përgatitjen dhe eksperiencën për të bërë punë në Lushnjë, ndërsa për sa i përket kandidatëve të tjerë i mëshoj fjalës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku personat “non grata” nuk mund të gëzojnë asnjë votë nga qytetarët e qytetit të Lushnjës. Ajo që kërkojmë është pjesëmarrja sa më e madhe në votime sepse ne do të kemi obligime më tepër për të bërë më shumë punë për Lushnjën”, është shprehur Balla në fjalën e tij.

Në vijim të inspektimeve në këtë lagje Balla dhe Sefa diskutuan edhe për ndërhyrjet që duhet të bëhen në disa godina në shërbim të komunitetit dhe në pallatet e ndërtuara para viteve ’90, të cilat janë në një gjendje të vështirë dhe duhen bërë ndërhyrje në pjesët e brendshme të këtyre godinave.

Një tjetër problem është edhe markata e fruta-perimeve e cila do të ndërtohet së shpejti si dhe rregullimi i hapësirave brenda blloqeve të pallateve të cilat duhen bërë, ndaj për të bërë të gjitha këto punë Balla kërkoi mbështetjen e qytetarëve në 6 mars.