Vendimi i ligjvënësve serbë të Bosnjës për të votuar në favor të krijimit të një autoriteti të veçantë gjyqësor është shkelje e papranueshme e rendit kushtetues të Bosnje-Hercegovinës, paralajmëroi Bashkimi Evropian.

“Votimi i së enjtes nga Asambleja Kombëtare e Republika Srpska në favor të një ligji që krijon një Këshill të Lartë Gjyqësor dhe Prokuroria të veçantë në Republikën Srpska përbën shkelje të papranueshme të rendit kushtetues dhe ligjor të Bosnje-Hercegovinës”, tha Peter Stano, zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë në bllokun evropian.

Deklarata paralajmëron se ligji do të thellojë “pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë ligjore” në sistemin gjyqësor dhe do të minojë seriozisht perspektivën evropiane të vendit.

“BE-ja u kërkon udhëheqësve të Bosnje-Hercegovinës, në veçanti udhëheqjes së Republikës Srpska, t’i japin fund hapave përshkallëzues dhe të rifillojnë dialogun brenda institucioneve shtetërore”, shtoi Stano.

Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë situatën në Bosnje-Hercegovinë në takimin e tyre të ardhshëm më 21 shkurt.

Në vitin 1995, Marrëveshja e Paqes e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje krijoi një sistem të dyfishtë federativ të dy entiteteve kryesore: Republika Srpska dhe Federata e Bosnje-Hercegovinës me popullsi boshnjako-kroate.

Vendi ka hyrë në trazirat e tij më të rënda politike që nga fundi i luftës, kur zyrtarët serbë filluan të bojkotojnë institucionet federale për shkak të një ligji të ri që ndalon mohimin e gjenocidit dhe kriminalizon glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Kriza u përshkallëzua më tej në tetor, kur Milorad Dodik, kreu i entitetit të Republika Srpska, njoftoi largimin nga institucionet kryesore federale.