Sali Berisha qenka tërbuar për një video të shpërndarë, ku ai dëgjohet të thotë se këto 22 vite, Durrësi padyshim ka ndryshuar. E ka marrë si provokim të rëndë dhe ka zbuluar përmes një video tjetër më të zgjeruar, se përpara saj, ai ka thënë një fjali tjetër, që nënkupton se “askush nuk mendon se Durrësi këto 22 vite ka bërë përparime”.
Në fakt, videon e postova dhe unë, i gëzuar që më në fund Berisha tha një të vërtetë. Se e vërteta e padiskutueshme është që Durrësi ka ndryshuar. Por me sa duket Berisha ka alergji nga e vërteta dhe kur e thotë gabimisht, dhe përpiqet ta korrigjojë me çdo çmim.
Po ja pranojmë këtë ves.
Por atë që nuk duhet t’i pranojnë demokratët për këto 22 vjet Sali Berishës, është pikërisht se falë tij, Durrësi ka 22 vjet që qeveriset nga socialistët. Ky është rekordi më i zi i Sali Berishës në politikë, pasi falë tij, qytetarët durrsakë, në shumicë të djathtë, kanë pranuar të votojnë socialistët dhe jo atë.
Ndërsa harta elektorale në qytet ka ndryshuar, ndërsa PD ka humbur e ka fituar deputetë, ajo nuk e ka fituar kurrë Bashkinë prej 22 vitesh. Dhe në fakt, hera e fundit që e fitoi ishte viti 1996, që ishin zgjedhje të ngjashme me këto të 30 qershorit 2019, sa i përket opozitës.
Kështu që, nëse ka një gjë për t’u thënë demokratëve durrsakë Sali Berisha, është mirë t’u shpjegojë pse e ka humbur atë qytet për 22 vite radhazi. E ka humbur në pushtet dhe opozitë, e ka humbur kur kishte gjithçka në dorë dhe kur nuk kishte asgjë.
Ky është bilanci i përafërt i asaj që socialistët kanë me Shkodrën, por ata së paku kanë të bëjnë me një qytet të djathtë kundër së majtës. Ndërsa Berisha ka humbur 22 vite përballë një qyteti që nuk është i majtë.
Arsyeja është se Durrësi është i vetmi qytet i djathtë i Shqipërisë, që nuk e pranon Berishën si një politikan tribal, agresiv dhe zaptues.
Kërdia e Berishës me tokat e Durrësit gjatë mandatit të parë të qeverisjes së tij, zaptimi i bregdetit nga njerëzit e tij dhe kaosi urban në Durrës, krijimi i “Bathores” në Kënetë, me të njëjtën strategji që krijoi atë të Tiranës, dhe lufta ndaj përfaqësuesve politikë të së djathtës në Durrës, e bëri atë të huaj në atë qytet.
Bashkim Kopliku, Artan Hoxha, guvernatori Hoti, dhe shumë figura të tjera politike të Durrësit, përfshi ato në nivelin lokal, u bënë kundërshtarët e tij natyral për të djathtën në Durrës. Dhe ai i eleminoi.
Prurjet e tij të reja në Durrës, ishin gjithmonë lidhje klanore të tij, të cilat nuk u pranuan kurrë.
Në mandatin e tij të dytë qeverisës, Durrësi u përball me fëmijët e tij tahmaqarë dhe zhvatës, me Argitën e Jamarbërin që me Fazlliçin blenë pa lekë gjithë tokat e Porto Romanos, me zaptimin e Lalzit dhe ngrirjen e çdo investimi që nuk kalonte përmes tyre.
E bija e tij i kërkonte një investitori të huaj 3 milionë euro për firmën e babait për një TEC në Porto Romano, ndërsa i biri shfaqej pas çdo ngastre toke që ishte në shitje apo në plan zhvillimi. Janë dosje të gatshme për SPAK. Aty i ka.
Argita Berisha i kërkoi ryshfet 3 milionë euro biznesmenit pakistanez, për një investim 100 milionë euro në Shqipëri! Vetëm Berisha, Meta e Basha s’duhet të flasin për Dubain!
Ai kishte njerëzit e tij kudo, në Port, në Dogana, në Hipoteka, dhe u përoq ta mbante qytetin peng të planeve të biznesit të familjes së tij.
Dhe Durrësi ja ktheu me të njëjtën monedhë. Nuk e votoi kurrë për 22 vjet. Nuk e votoi si grabitës, si zaptues, dhe si një politikan që donte t’u imponohej si cub malësie.
E njëjta gjë do t’i ndodhë dhe me 6 mars. Nuk më intereson fare se sa vota poshtë apo sipër Luzlim Bashës do jetë, pasi dhe Lulzim Basha vazhdon të paguajë taksën e tij, dhe do ta paguajë gjatë, por është e sigurtë se të dy bashkë, do jenë më pak se rivalja e tyre.
Dhe kjo është e vërteta që duhet t’u shpjegojë demokratëve. Atë të vërtetën tjetër që Durrësi ka ndryshuar, le të mos ta pranojë. Nuk ja heqim dot vesin e gënjeshtarit.