Ky vit do të jetë i veçantë, jo vetëm për Tiranën si Kryeqyteti Europian i Rinisë, por edhe për 18 shtetasit më të rinj, të cilët u betuan përpara kryebashkiakut Erion Veliaj, për besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe për respektimin e Kushtetutës e të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë.
Qytetarët që zyrtarisht morën nënshtetësinë shqiptare ishin kryesisht nga Turqia, Serbia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Libia.
Kryebashkiaku Veliaj tha se ky është një vit special për Tiranën. “Pavarësisht moshës, ditëlindja juaj me shtetësinë shqiptare është sot. Por, përtej humorit, dua që, pasi kemi kaluar këto situata shumë të vështira, të kemi një kohë për të qenë më shumë bashkë, ku secili prej jush bëhet pjesë e komunitetit të shqiptarëve të rinj e të vjetër”, theksoi ai.
Veliaj nënvizoi se pavarësisht dy viteve të vështira si pasojë e pandemisë, Shqipëria diti që të ngrihet më e fortë se më parë. “Kanë qenë dy vite shumë të vështira, me tërmetin fillimisht e pastaj me pandeminë, por fakti që keni qenë pjesë e komunitetit tonë në këto kohë të vështira, do të thotë se do jemi edhe më shumë bashkë në ditët e bukura që i kemi përpara. Më vjen mirë që shoh shumë bebusha që na kanë ardhur sot bashkë me prindërit, e ndoshta ata janë bërë shqiptarë përpara jush se kanë lindur këtu, megjithatë më vjen mirë që sot e gjithë familja do të kompletohet dhe dua që t’i uroj mirëseardhjen”, deklaroi ai.
Kreu i Bashkisë deklaroi se tashmë në Tiranë jetojnë 144 kombësi të ndryshme nga e gjithë bota.
“Tirana është një vend i 144 kombësive të ndryshme, megjithatë është një gëzim i madh ku një pjesë e këtyre kombësive zgjedhin të jenë përjetësisht tanët, pjesë e këtij komuniteti, shtetas të Shqipërisë, të së njëjtës Shqipëri ku ne ndajmë kombësinë me Skënderbeun dhe me Nënë Terezën”, u shpreh Veliaj.
Kryetari i Bashkisë lexoi formulën e betimit për 18 shtetasit që kanë fituar shtetësinë shqiptare, të cilët më pas nënshkruan edhe aktin e betimit.