Shfryrja e Antonio Conte-s pas humbjes së pësuar nga Tottenham-i kundër Burnley-t ka bërë të dridhen tifozët e Spurs, që janë befasuar nga fjalët e ish-trajnerit të Inter-it, i cili i ka hapur rrugën një largimi të bujshëm.
Megjithatë, duket se situata është qetësuar pas një takimi që trajneri ka patur me presidentin Daniel Levy, siç ka konfirmuar vetë Conte në konferencën për shtyp të zhvilluar në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Leeds-it:
“Po, kam folur me klubin. Presidenti ynë e di mirë se jam këtu për të ndihmuar klubin në çdo moment. Dhe do ta bëj këtë deri në fund. Ky është realiteti, dhe ai e di se po punojmë shumë. Ka një konsideratë të lartë për përkushtimin tonë dhe për atë të stafit tim”, ka shpjeguar italiani.
“Mos prisni nga unë që të jem i lumtur pas një humbje, unë nuk jam ky lloj njeriu. Kërkoj falje që kam treguar zhgënjimin tim, ndoshta do të kisha bërë më mirë ta kisha ruajtur shfryrjën për ekipin”, ka shtuar Conte.
“E përsëris se dua ta ndihmoj këtë klub në çdo aspekt. Ata kanë treguar një konsideratë të madhe për mua çdo ditë dhe për këtë u jam mirënjohës sepse kuptoj se vlerësimi dhe besimi tek unë është shumë i madh”.