Damian Gjiknuri u pyet në Komisionin Hetimor për inceneratorët, edhe nëse ka qenë shok shkolle me Klodian Zoton. Gjiknuri e mohoi dhe tha e shok shkolle në gjimnazin “Sami Frashërin” ka qenë edhe me kryedemokratin Lulzim Basha.

Gjithashtu Gjiknuri i është drejtuar Tabakut se ka fqinj edhe vëllanë e saj, por nuk do të thotë se ka konflikt interesi.

“Rrethanat në jetë më kanë sjellë të punoj me të në vitin 2001 dhe nuk e kam pasur shok shkolle Zoton. Kam pasur Lulzim Bashën shok shkolle”, tha Gjiknuri.

Damian Gjiknuri, në cilësinë e ish-ministrit të Energjisë ka sqaruar në Komisionin Hetimor për Inceneratorët rolin e kësaj Ministrie në procedurën e koncesionit të inceneratorëve.

Gjiknuri u shpreh se Ministria e Energjisë hyri në proces për shkak se iniciativa kishte të bënte edhe me prodhimin e energjisë elektrike, dhe nisur nga kjo dhanë edhe dakordësinë parimisht.

“Ministria e Energjetikës ka hyrë në këtë proces për shkak të një situata incidentale si rezultat i një produkti që kishte kjo kontratë koncensionare, për shkak të rolit që ka ministria për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë. Ministria e Energjetikës hyri se për shkak të propozimit që kishte ardhur nga Ministria e Mjedisit me investitorët në fjalë që u bënë koncensionarë ishte parashikuar që një produkt derivat final është edhe rikuperimi dhe çlirimi i energjisë.

Në momentin që ka vlerë ekonomike dhe do futet edhe prodhimi i energjisë, u pyet Ministria e Energjetikës. Ministria e Energjetikës ka dhënë këtë përgjigje: Shprehemi dakord duke sqaruar se përzgjedhja e procedurës së koncesionit është e drejta e autoritetit kontraktor pas vlerësimit të përmbushjes së kushteve ligjore të kërkuara. Unë si ministri, kur mora dijeni që ka një iniciativë të tillë dhashë ok në parim se më pëlqente faktit që Shqipërisë do i shtohej dhe një burim i ri i prodhimit të Energjisë Elektrike”, tha Gjiknuri.