Barcelona, ​​shkruan sot gazeta katalanase “Sport”, është në kërkim të një qendërmbrojtësi të sprovuar për sezonin e ardhshëm. Për pasojë, ka vënë në shënjestër mbrojtësin e Napolit, Kalidou Koulibaly.

Objektivi i parë i skuadrës blaugrana ishte Matthijs de Ligt, por kërkesat e larta të Juventusit, rreth 75 milionë euro, të kombinuara me një pagë mbi 10 milionë në sezon të holandezit, e bëjnë marrëveshjen pothuajse të pamundur.

Duke pasur parasysh se Koundè i Sevilla, gjithashtu ofrohet me të njëjtat shifra për sa i përket kartonit, klubi katalanas është i përqendruar te Koulibaly, i lidhur me Napolin edhe për një tjetër vit kontratë.

Klubi napolitan, – saktëson “Sport”, – kërkon pak më shumë se 40 milionë euro, por nga Katalonja shpresojnë se do të mund ta ulin çmimin në verë për shkak të një kontrate që i skadon.